fbpx

Aksidenti në Gjilan, paraburgim edhe për pronarin e kamionit

Gjykata Themelore në qytetin e Gjilanit në Kosovës ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditëve të pandehurit V. T.(pronarit të autobusit)

“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri V. T., si person përgjegjës në kompaninë, ka lëshuar në qarkullim kamionin e tipit “Scania”, pa regjistrim dhe pa kontroll teknike që nga data 18 gusht 2017, të cilin e ka drejtuar shoferi i kësaj kompanie M. A., me ç’rast i njëjti ka shkaktuar aksident trafiku me datë 07.03.2019, si pasojë e të cilit ka mbetur i vdekur i ndjeri Q. Ç. dhe kanë mbetur të lënduar 23 personat.Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale mbikëqyrja e pandërgjegjshme e trafikut publik, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet mes tjerash në komunikatë.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Gjilan të më herët gjithashtu kishte aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, për caktimin e masës së paraburgimit prej tridhjetë ditë të pandehurit M. A.(shoferit të autobusit)

Sipas gjykatës, më 7 mars, në ora 14:05 minuta, i dyshuari M. A., ka shkaktuar aksident të rëndë komunikacioni, nga i cili aksident një person për shkak të lëndimeve ka ndërruar jetë, ndërsa 26 të tjerë kanë pësuar lëndime trupore.

“Dyshohet që nga problemet teknike që ka pasur kamioni të cilin e ngiste, ka ardhur deri tek aksidenti. Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale rrezikim i trafikut publik, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës. Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Përgjithshëm, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi që po të caktohej ndonjë masë më e butë, i pandehuri mund të ndikonte tek dëshmitarët”, thuhet në komunikatë.