fbpx

Ambasada e SHBA-së në Kosovë kërkon përgjegjësi për dëbimin e 6 shtetasve turq

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë tha përmes një deklarate për media se “ka kaluar një vit qëkur Kosova i ka dëbuar gjashtë shtetas turq, pa një proces të duhur, duke pretenduar se kërcënonin sigurinë kombëtare”.

“Kemi qenë të lumtur për formimin e një komisioni hetimor parlamentar, i cili i ka ekspozuar shkeljet ligjore rreth incidentit, pavarësisht përpjekjeve për të penguar punën e tij. Gjetjet e komisionit, të cilat sugjerojnë 31 shkelje ligjore ose procedurale nga Agjencia e Inteligjencës e Kosovës, Ministria e Brendshme dhe institucionet e tjera, ngrenë shqetësime lidhur me mashtrimin e agjencive kryesore të sigurisë, si dhe ndjeshmërinë e sektorit të sigurisë ndaj manipulimit politik”, thuhet në deklaratë.

Përmes saj, ambasada u bëri thirrje institucioneve të Kosovës që të kërkojnë përgjegjësi të plotë nga kushdo që e shkel ligjin dhe i kujtoi liderët e Kosovës se “institucionet e sigurisë duhet të veprojnë vetëm brenda autoritetit të tyre kushtetues”.

“Problemi nuk është fajësia apo pafajësia e individëve, por shmangia e dukshme e proceseve ligjore të Kosovës nga politikanët e Kosovës”, thuhet në deklaratë.

“Presioni politik në sektorin e sigurisë për të thyer ligjin e Kosovës është një shkelje e egër e vlerave demokratike. Ne bëjmë thirrje për transparencë të plotë në sektorin e sigurisë dhe në udhëheqjen e çështjeve të jashtme, në mënyrë që të parandalohen ndërhyrjet e papërshtatshme të politikanëve kosovarë në të ardhmen”, thuhet në komunikatën e Amabsadës së SHBA-së në Prishtinë.

Dëbimi i gjashtë shtetasve turq nga Kosova, në mars të vitit të kaluar, është thënë se është bërë përmes një aksioni të koordinuar ndërmjet shërbimeve të inteligjencës nga Turqia dhe Kosova. Por, deputetët, presidenti, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës patën thënë se nuk kanë pasur njohuri lidhur me rastin.

Për gjashtë shtetasit turq, Ankaraja dyshon se janë anëtarë të organizatës “Hizmet”, të udhëheqësit fetar turk, Fetullah Gulen. Këtë të fundit, autoritetet turke e fajësojnë për një përpjekje për grushtshtet në Turqi në vitin 2016.

Komisioni Hetues Parlamentar i Kosovës, muajin e kaluar, ka konstatuar se janë bërë shkelje gjatë dëbimit të shtetasve turq.