fbpx

Ambientalistët, të revoltuar për prerjen e druve

Një humbje të madhe ekologjike përjetoi parku pyjor Vodno, sipas ambientalistëve pas prerjes së druve përgjatë rrjetit të gazsjellësit që ndodhi këtë javë në majë të malit. Bëhet fjalë për gazsjellësin kryesor që duhet të kalojë përmes Vodnos që të arrijë në Tetovë dhe Gostivar. Prerësit e druve derisa kanë qenë në aksion janë pritur nga alpinistë që rregullisht ecin përgjatë malit dhe menjëherë i kanë alarmuar organizatat e shoqërisë civile. Ambientalistët ndjehen të mashtruar sepse thonë se prerja e druve në pjesën e mbrojtur të Vodnos është bërë pa plan.

Si mundet në një park pyjor, që është një zonë e mbrojtur, të preni dru pa ndonjë mbikëqyrje? Ju nuk mund të më thoni se mbikëqyrës është një kompani projektimi. E as pylltarët, që as nuk e dinë ku duhet të pritet. Duhet të ketë një person të veçantë, që e di problemin, kur punon në një terren që është e ndjeshme ndaj momentit ekologjik”- tha Tatjana Stojanovska , “E dua Vodnon”.

Nga Resurset Energjetike të Maqedonisë që janë përgjegjës për gazsjellësin, për Alsat thanë se të gjitha procedurat ligjore lidhur me prerjen e druve janë respektuar, por edhe punimet e ndërtimit. Autoritetet thonë se prerja e druve në Vodno është rregulluar nga një biolog dhe një mbikëqyrës projekti. Deri më tani, është prerë një e treta nga traseja nëntë kilometërshe në Vodno.

Ministria e Mjedisit na informoi se shteti parashikon masa për të zbutur ndikimin negativ në pyjet, të shkaktuar nga ndërtimi i rrjetit të gazsjellësit.

Për të zbutur ndikimin negativ të humbjes së pyjeve, është e nevojshme të kryhen pyllëzimet me lloje vendase të druve dhe shkurreve, karakteristike për zonën …”- thonë nga Ministria e Mjedisit.

Nga qyteti i Shkupit thonë se i gjithë procesi është kryer në mënyrë transparente në marrëveshje me shoqatat civile.

Disa ndryshime u bënë në projekt, dhe traseja ku u ndryshua rruga e gazsjellësit, në një pjesë prej 4 kilometra, për të shmangur kalimin nëpër pyll, ndërsa në tërë gazsjellësin u zvogëlua gjerësia e trasesë nga 25 në 10 metra”- thonë nga Qyteti i Shkupit.

Dy debate publike u zhvilluan midis autoriteteve dhe sektorit civil për ndërtimin e rrjetit të gazsjellësit, që sipas planit duhet të kalojë nëpër kreshtën e Vodnos. Pa ndonjë zgjidhje nga debatet, pas një periudhë të caktuar, punimet ndërtimore vazhduan, ndërsa aktivistët u përpoqën t’i parandalonin ata duke u shtrirë përpara ekskavatorëve.

Ile Petrevski