fbpx

Arrihet marrëveshja për armëpushim mes Izraelit dhe palestinezëve

Armata izraelite kumtoi se sot i ka hequr kufizimet e vendosura për shkak të mbrojtjes së banorëve në pjesën jugore të Izraelit.

Ky është sinjal se është arritur marrëveshje për armëpushim me palestinezët në Rripin e Gazës, me qëllim që t’i jepet fund përleshjeve më të përgjakura mes dy palëve nga lufta në vitin 2014.

Por nuk janë publikuar hollësira nga marrëveshja për armëpushim.

Paraprakisht, disa përfaqësues palestinezë kumtuan se është arritur marrëveshje për ndërprerje të zjarrit me Izraelin përmes Egjiptit.

Sipas autoriteteve shëndetësore palestineze, në sulmet e ushtrisë izraelite ndaj caqeve në Rripin e Gazës jetën e kanë humbur 23 njerëz, mes të cilëve edhe dy gra shtatzëna dhe dy foshnje. Gjatë sulmeve palestineze jetën e kanë humbur katër izraelitë.

Izraeli dhe palestinezët, nga viti 2007, kur Hamasi e ka ndërmarrë kontrollin ndaj Rripit të Gazës, tre herë kanë luftuar.

Ndërmjetësues egjiptian së bashku me Kombet e Bashkuara insistuan në armëpushim. Në bazë të marrëveshjeve paraprake, Izraeli u pajtua të bëjë lëshime në bllokadën për Rripin e Gazës, të vendosur para më shumë se një dekade në këmbim për ndërprerje të raketimit nga ana e palestinezëve.