fbpx

Australia: Tensionet me Turqinë janë zvogëluar pas sqarimit nga Ankaraja

Tensionet diplomatike midis Turqisë dhe Australisë, të iniciuara prej komentit të presidentit turk ndaj sulmit në Zelandë të Re po qetësohen pasi Ankaraja kumtoi se deklarata e Rexhep Taip Erdoganit është nxjerrë nga konteksti.

Deklarata e Erdoganit pasoi pas sulmit më 16 mars, të cilin e zbatoi Brenton Tarant (28) nga Australia ndaj dy xhamive, me ç’rast jetën e humbën 50 persona në Krajstçërç, Zelandë të Re.

Kryeministri australian, Skot Morison deklaroi se tensionet midis dy vendeve janë zvogëluar pasi Kabineti i Erdoganit lëshoi një kumtesë në të cilën e sqaron deklaratën e tij, transmeton Al Xhezira.

“Ne jemi këtu tash e 1.000 vjet dhe do të jemi deri në Ditën e gjykimit”, tha Erdogan në një tubim me rastin e përvjetorit tek Beteja në Çanakale në vitin 1915, kur ushtarët e Perandorisë Otomane u kanë shkaktuar disfatë ushtrive të Britanisë së Madhe, Australisë dhe Zelandës së Re në përpjekje që ta pushtojnë gadishullin.

Erdogan atëherë tha se askush nuk do ta shndërrojë Stambollin në Kostandinopojë.

“Gjyshërit tuaj erdhën këtu dhe u kthyen në arkivole. Mos dyshoni, do të ktheheni si gjyshërit tuaj”, tha ai.

Mediat australiane theksojnë se Beteja në Çanakale përfundoi me numër të madh viktimash të të dyja palëve dhe se për shkak të disfatës së rëndë paraqet temë të ndjeshme në Australi dhe Zelandë të re.

Morison tha se komentet e tilla “Janë shumë ofenduese” dhe i bëri thirrje ambasadorit turk t’i sqarojë. Megjithatë, ai sot deklaroi se është bërë progres pasi ka sqaruar se fjalët i janë nxjerrë nga kontesti. Zëdhënësi Fahretin Altun sqaroi se Erdogan gjegjësisht ka reaguar në “manifestin” të cilin sulmuesi e kishte publikuar në Internet para se ta bëjë masakrën.

“Fjalët e presidentit Erdogan, për fat të keq, janë nxjerrë nga konteksti. Ai reagoi edhe për të a.q. “Manifest” të terroristit i cili i vrau 50 myslimanë të pafajshëm në Krajstçërç. Turqit gjithmonë kanë qenë nikoqirë të mirë për vizitorët nga Australia dhe Zelanda e Re”, shkroi Altun në Tuiter.

“Në manifestin e terroristit nuk është theksuar si cak vetëm Erdogani, por edhe populli turk dhe shteti turk. Derisa mbante fjalim në Çanakale, ai i bëri deklaratat e tij në kontekstin historik të sulmeve kundër Turqisë, në të kaluarën dhe të tanishmen”, sqaroi Altun.

Morison e përshëndeti, siç e quajti, moderimin e qëndrimeve të Erdogan, që vjen pas komenteve të ashpra midis dy vendeve.

Në ndërkohë, kryeministrja e Zelandës së Re, Xhasinda Ardern tha se ministri i Punëve të Jashtme dhe zëvendëskryeministër Vinston Piters ka udhëtuar drejt Turqisë që t’i sqarojë komentet e presidentit turk lidhur me masakrën në Krajstçërç, të cilin e quajti element komploti kundër Ankarasë.

Erdogani i bëri thirrje Zelandës së Re përsëri ta vendos dënimin me vdekje dhe paralajmëroi se Turqia do të kujdeset për autorin nëse këtë nuk e bën Zelanda e Re.