fbpx

Avokati i Popullit me rastin e ditës “zero diskriminim”

Dita e sotme, 1 Marsi, është e njohur edhe si ditë e “zero diskriminimit, si sfidë për të gjithë faktorët në shoqëri për t’i dhënë fund çdo lloji të diskriminimit.

“Lufta, me këtë dukuri negative shoqërore, është e pranishme me dekada, por e njëjta edhe më tutje është prezente në forma të ndryshme, mbi baza të ndryshme. Diku është e hapur, diku është e fshehtë. Përjashtimi, krijimi i ndjenjës se nuk ju takon ndonjë e drejtë vetëm sepse jeni të ndryshëm nga të tjerët është storja më e vrazhdë të cilën mund ta përjetoj një njeri. Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut na mëson se të gjithë kemi lindur të barabartë dhe të gjithë duhet t’i gëzojmë të gjitha të drejtat. Autoritetet duhet ta kenë çdoherë parasysh kur miratojnë ndonjë ligj, ndonjë rregull. Ata duhet t’i identifikojnë të gjitha format e diskriminimit, si dhe të angazhohen që të njëjtat të parandalohen”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Avokati i Popullit.

Sipas këtij institucioni toleranca është baza e luftës me diskriminimin, ndërsa mësimi i tolerancës fillimisht duhet të drejtohet tek më të rinjtë – fëmijët. Ata pikë së pari duhet të mësojnë të respektojnë, të mësojnë se njerëzit kanë ngjyrë të ndryshme të lëkurës, se u përkasin religjioneve, kombësive të ndryshme dhe se kjo pasuri duhet të respektohet. Krijimi i gjeneratave të shëndosha dhe tolerante është shumë i rëndësishëm për një shtet.

“Ne, mbrojtësit e të drejtave të njeriut jemi këtu që t’i përkujtojmë autoritetet se maksimalisht duhet të punojnë në çrrënjosjen e diskriminimit nëse dëshirojnë zhvillim të mirëfilltë dhe jo zhvillim deklarativ demokratik të shoqërisë. Në këtë drejtim, nuk mjaftojnë vetëm rregullat ligjore, por është i nevojshëm implementimi i tyre, me qëllim që çdo individ të ketë qasje në energjinë elektrike, ujin e pijshëm, procesin arsimor, punë, të mund ta realizoj të drejtën e votës. Me një fjalë, secili të ndihet i integruar si pjesë e shoqërisë, se është i dobishëm dhe se mund të kontribuoj për zhvillimin e tij”, thonë nga Avokat i Popullit për të shtuar se të gjithë së bashku duhet të luftojmë për ta arritur moton “zero diskriminim”.