fbpx

Bie çmimi i karburanteve

Çmimi i lëndëve djegëse në tregun botëror shënoi rënie të hënën pasi presidenti amerikan, Donald Trump, kërcënoi se do t’i shtojë në masë të madhe taksat ndaj prodhimeve kineze. Kjo deklaratë i vë edhe më shumë në rrezik bisedimet tregtare mes dy ekonomive më të mëdha botërore.

Çmimi për një fuçi nafte në bursën amerikane të Teksasit Perëndimor ishte 60.83 dollarë, ndërsa në “WTI” ky çmim ishte 60.04 dollarë, më i liri që nga data 29 mars.

Një fuçi nafte në Brent u shit për 69.78 dollarë, shifër që paraqet nivelin më të ulët që nga data 2 prill.

Presidenti amerikan njoftoi përmes një rrjeti social të dielën se ai do t’i rrisë tarifat e Shteteve të Bashkuara ndaj mallrave kineze. Kjo deklaratë ndikoi që në tregjet botërore të ketë rënie të çmimeve, përfshirë çmimin e karburanteve.

“Qëndrimi i prerë dhe i papritur i Trumpit për taksat ndaj Kinës i ka frikësuar investitorët, të cilët po përpiqen ta zvogëlojnë nivelin e rrezikut në tregje”, tha Jasper Lawler, udhëheqës i grupit “London Capital Group”.

“Perspektiva e muajve të bisedimeve tregtare që po rrezikohen nga presidenti amerikan i ka shtuar shqetësimet për kërkesat për derivate në të ardhmen”, shtoi ai.

Përndryshe, presidenti Trump ka paralajmëruar se tarifat do të rriten për mallrat kineze që kanë vlerën e 200 miliardë dollarëve.

Tash për tash, Shtetet e Bashkuara janë prodhuesja më e madhe e karburanteve në botë, e ndjekur nga Rusia dhe Arabia Saudite, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.