fbpx

Bujqit e Pollogut i qajnë hallin ministrit të bujqësisë

Sistemi i mbyllur i vaditjes, pikë për grumbullimin e prodhimeve bujqësore, subvencionet të jepen në kohë dhe të sigurohet plasman i sigurt i prodhimeve bujqësore. Këto ishin kërkesat e bujqve, në takimin që u realizua sot me ministrin e bujqësisë, drejtorët dhe krerët e komunave të Pollogut. Ata madje u ankuan edhe se në ndryshimet që ka bërë Ministria e Bujqësisë, aspak nuk përmendet Pollogu.

“Nuk kemi përkrahje nga shteti si bujk ose si blegtor. Nuk kemi çmime të afrueshme. Vështirë e kemi ta përballojmë se gjitha çmimet janë në rritje, ndërsa te blegtoria asgjë”, tha Ismail Mustafi, bujk.

“Ta ushqesh gjithë dimrit dhe ta shesësh për 140 denarë qengjin është shumë pak, as shpenzimet nuk na i mbulon. Neve më së shumti na duhet plasman i mishit, djathit, qumështit leshit, ne këto si kemi aspak për momentin”, u shpreh Refet Fidani, bujk.

“Mirë e bëtë fjalimit tuaj, gjitha ishin përfshirë por asgjë për Pollogun! Gjithçka dëgjuam për mollët e Resnjës, për rrushin e Tikveshit, për duhanin e Prilepit, për derrat e Shtipit. Tetova është e njohur për groshën e saj, por ajo më është zhdukur nga arat tona, sepse nuk kemi ujë apo ujë të pastër. U lavdëruar me projektin e vaditjes Raven Reçicë,. Por nuk punohet më me kanale të hapura sepse janë të ndotura. Këto janë problemet më të mëdha që e tangojnë shoqërinë tonë. Në Pollogut nuk ka asnjë pikë grumbullimi”.

Nga ana tjetër, Ministri i Bujqësisë Lubço Nikollovski, tha se pikërisht për këtë janë bërë edhe ndryshime në ligj, me ç’rast masat e reja për zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë janë shumë përkrahëse dhe me lehtësime të mëdha në investime dhe kthim të mjeteve nga ana e bujqve.

“Përveç programeve nacionale me shumë masa zhvillimore sidomos për zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë, janë edhe masat nga programi IPARD që janë të rëndësishme për modernizim të bujqësisë për çka tanimë përgatiten thirrjet e reja. Ju rikujtoj se Maqedonia është lidere në regjion me shfrytëzimin e programit IPARD për vitin 2018 për dallim nga gjitha vendet tjera të regjionit”, u shpreh Lubço Nikollovski, ministër i bujqësisë.

Aktiviteti i sotëm u realizua në kuadër të fushatës së Ministrisë së bujqësisë, për njohje me problemet dhe nevojat e bujqve në gjithë territorin e Maqedonisë veriore.

Bashkim Sulejmani