fbpx

David Hale: Marrëveshja Kosovë-Serbi duhet t’i kontribuojë stabilitetit

Nënsekretari amerikan i Shtetit për Çështje Politike, David Hale, tha se ekziston mundësia që këtë vit të arrihet marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, porse ajo duhet t’i kontribuojë stabilitetit afatgjatë në rajon.

“Ka shanse që këtë vit të arrihet një zgjidhje gjithëpërfshirëse, por vetëm nëse së pari vazhdon dialogu… SHBA-ja nuk do ta japë recetën për zgjidhje. Besojmë se ajo duhet të jetë e zbatueshme si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi, dhe se duhet të kontribuojë në stabilitetin afatgjatë të rajonit”, tha Hale në një intervistë për gazetën serbe Danas.

Ai po ashtu bëri thirrje për heqjen e tarifës doganore, që Qeveria e Kosovës u ka vënë prodhimeve të importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.
Shtetet e Bashkuara, më herët, kanë thënë se kjo taksë nuk përkon me interesat amerikanë.

Thirrje për heqjen e saj ka bërë edhe Bashkimi Evropian, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën nuk do të vazhdojë derisa taksa mbetet në fuqi.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se taksa 100%, që është vënë qysh në muajin nëntor, nuk do të hiqet derisa Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Hale do të vizitojë Serbinë të premten, ndërsa në Kosovë do të qëndrojë të shtunën.