fbpx

Delegacioni i PE-së e përfaqësuesit e Listës Serbe: Zgjidhje që “përfundimisht vendos paqe në Ballkan”

Delegacioni i Parlamentit Europian, i prirë nga raportuesi për Serbinë David McAlisteri dhe përfaqësuesit e Listës Serbe janë pajtuar sot se duhet të hiqen taksat (për mallrat me origjinë nga Serbia) dhe të vazhdojë dialogu midis Beogradit e Prishtinës për arritjen e zgjidhjes kompromise, në mënyrë që përfundimisht të vendoset paqja në Ballkan, raporton agjencia serbe e lajmeve, FoNet.

Sipas komunikatës së Listës Serbe, të lëshuar pas takimit me përfaqësuesit e Parlamentit Europian, gjatë bisedës u theksua në periudhën e ardhshme duhet doemos të ruhet paqja dhe siguria për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Përfaqësuesit e Listës Serbe gjatë takimit përmendën problemet me të cilat përballet populli serb në Kosovë, por edhe qëndrimin sipas të cilit pjesëmarrja në institucione “ishte e pakuptimtë pas veprimeve të njëanshme të Prishtinës” dhe se ky është shkaku pse në mbledhjen me presidentin e Serbisë kanë propozuar braktisjen e institucioneve të Kosovës, transmeton Koha.net.

Në delegacionin e Parlamentit Europian, përveç McAlisterit ishin edhe Igor Shollts nga Sllovenia, dhe Elmar Brok nga Gjermania, ndërsa Listën Serbe i përfaqësonin Goran Rakiq, Igor Simiq dhe Dalibor Jevtiq.