fbpx

Evropa synon marrjen e masave për t’u mbrojtur nga Kina

Bashkimi Evropian është duke tentuar të krijojë një strategji të mbrojtjes ndaj Kinës dhe ka rritur volumin e punëve sa i përket diplomacisë, ashtu që t’i kufizojë Pekinit kapacitetin për të blerë kompani të huaja në bllokun evropian, kanë thënë diplomatë dhe zyrtarë, transmeton Reuters.

Pavarësisht një agjende që ka dominuar largimi i Britanisë nga Bashkimi Evropian, liderët do të shfrytëzojnë samitin e 21 marsit për të diskutuar politikën e Kinës, për herë të parë pas disa vjetëve.

Këto takimeve janë pjesë e përpjekjeve për veprim para se presidenti kinez, Xi Jinping të udhëtojë në Itali dhe Francë, dhe para se BE-ja të realizojë samitin me Kinën më 9 prill.

Optimizmi evropian është kthyer në zemërim për shkak të veprimeve të ngadalësuara të Kinës për të hapur ekonominë, si dhe për shkak të idesë së krijuar në Bruksel se Pekini nuk ka mbajtur premtimin për të ecur drejt tregtisë së lirë dhe globalizimit.

Katër diplomatë evropianë, që kanë kontakte të ngushta me Kinën, kanë thënë se kanë humbur shpresën kur janë në pyetje çështjet biznesore.

“Kinezët gjithmonë thonë fjalë të mirë, mirëpo kur vjen koha për marrjen e vendimit, ata gjithmonë vonohen” ka thënë një zyrtar evropian, duke përmendur afatin e vënë në tetor të viti të kaluar për Kinën, që të finalizojë një marrëveshje, e cila njeh sistemin e BE-së për mbrojtje të emrave të produkteve ushqimore

Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme kineze, Lu Kang, u ka thënë gazetarëve të premten se Kina shpreson që Evropa mund të ofrojë “ambient të drejtë dhe jodiskriminues” për kompanitë kineze.

Me më shumë se 1 miliard euro në ditë në tregti të dyanshme, Bashkimi Evropian është partneri kryesor i Kinës në tregti./rel/