fbpx

Fati i PSP-së, grupet e punës nisin diskutimet

Fillojnë takimet e grupeve të punës për harmonizimin e ligjeve të nevojshme për datën e bisedimeve me BE-në. Në Ministrinë e Drejtësisë janë takuar grupi punues i VMRO-DPMNE-së i udhëhequr nga avokati Toni Menkinovski me ministren e Drejtësisë, Renata Deskoska dhe përfaqësuesit e BDI-së. Në agjendë është tejkalimi i dallimeve për propozim-ligjin për Prokurorinë Publike.

Kryeministri Zoran Zaev hedh poshtë pretendimet se në grupet e punës do të bisedohet për amnistimin e kriminalitetit.

Nuk ka asnjë pazar në këtë drejtim dhe askush nuk ka nevojë të manipulojë me ligje të tilla. Për mendimin tim grupet po punojnë për përpilimin e një ligji me qëllim instalimin e një sistemi funksional të drejtësisë i cili ka për qëllim forcimin e Prokurorisë Publike në Maqedoninë e Veriut në kuadër të së cilës kemi për qëllim ta vendosim PSP-në me kapacitete të shtuara në pjesën e prokurorit, prokurorëve, hetuesve dhe gjithkujt tjetër që ka për detyrë t’i shërbej qytetarëve – deklaroi Zoran Zaev, Kryeministër.

Deskoska nuk është e sigurt nëse propozimet do të miratohen në Kuvend para zgjedhjeve presidenciale. Nga dikasteri Drejtësisë thonë se kjo varet nga qasja e opozitës.

Nuk mund të themi që tani nëse propozimet do të miratohen para zgjedhjeve presidenciale. Kjo varet nga sinqeriteti dhe qasja konstruktive ose jo e VMRO-DPMNE-së ndaj këtij propozimi. Rekomandimet e BE-së janë që ndryshimet të miratohen para zgjedhjeve. Thënë ndryshe, përmes këtij ligji opozita do të tregojë nëse është për integrim në BE ose përsëri do të bëhet frenuese e proceseve – njoftojnë nga Ministria e Drejtësisë.

Për miratimin e ndryshimeve në ligjin për Prokurorinë Publike, opozita si fillim kërkon kryeprokuror me propozim të saj dhe hapjen e rasteve për të cilat dyshon se janë të montuara politikisht. Në lidhje me përfshirjen e PSP-së në kuadër të organit të përgjithshëm të akuzës, partia e Hristijan Mickoskit kërkon që Specialja të jetë pjesë e Prokurorisë Publike por pa Katica Janevën dhe një pjesë të prokurorëve nga ekipi saj. Grup pune do të formohet edhe për ligjin për Agjencinë për Siguri Kombëtare për të cilin në Kuvend u mbajt debat publik.

Adrian Kerimi