fbpx

Gazetarët në ditën e lirisë së shtypit: Jemi miq të së vërtetës

Duke shfaqur shprehjet fyese të politikanëve ndaj gazetarëve që janë bërë gjatë këtyre viteve, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka shënuar ditën botërore të lirisë së shtypit.

Ky instilacion artistik i mbajtur në sheshin “Ibrahim Rugova”, sipas përfaqësuesve të AGK-së paraqet një realitet të gjuhës dhe mendimit që përdorin njerëzit e politikës.

Ardiana Thaçi nga AGK tha se gazetarët nuk janë armiqtë e askujt, por mik të së vërtetës.

“Ajo që po dëgjoni sot në këtë instalacion është gjuha dhe mendimi ku njerëzit e politikës që populli i zgjodhi për të krijuar kushte për jetesë, ne gazetarët nuk jemi armiqtë e askujt, por jemi miq të së vërtetës që ndodh që kjo e vërtetë në shtetin tonë, të mos i pëlqej kryetarit të shtetit, kryeparlamentarit apo kryeministrit apo ligjvënësve. Ne nuk po bëjmë fakenews, të vetmet lajme të rreme apo të pavërteta që ndoshta kemi mundur t’i transmetojmë ndonjëherë mund të kenë qenë deklarata të politikanëve që shpesh herë i kanë thënë dhe të cilat kanë dalë që nuk janë të vërteta. Ne i kemi cituar sepse është dashur t’i citojmë, sepse kanë qenë qëndrime të tyre”, tha ajo.

Thaçi tha se që 15 vjet punon si gazetare, dhe se nuk kanë qenë të rralla rastet kur është kërcënuar, linçuar, fyer e madje e etiketuar që punon për grupe të interesit.

E Dardan Hoti tha se në ditën ndërkombëtare të shtypit, kanë vendosur të ngritin zërin edhe për kolegët që përjetojnë shkelje dhe padrejtësi në vendet e tyre të punës.

“Kemi ende shumë punëtorë pa kontrata të punës, kemi ende shumë punëtorë e punëtore që në fakt punojnë jashtë orarit të punës dhe nuk paguhet ajo punë. Kemi shumë diskriminim gjinor brenda mediave. Kemi po ashtu pushimet e lehonisë të cilat nuk respektohen prej pronarëve të mediave…përderisa ne për çdo ditë shkruajmë për shkeljet e ndryshme të punëtorëve në krejt Kosovën besoj që është koha me u kthy edhe me fol edhe për drejtat tona, me i kthy sytë nga vetja edhe me shkruajt pak për diskriminimet që bëhen brenda mediave”, tha Hoti.

Gentiana Begolli kryetare e AGK-së tha se përmes këtij instilacioni të gjithë kanë mundësi të shprehin realitetin në Kosovë sa i përket shkeljeve në vendin e punës.

“Ajo çfarë paraqet ky instalacion i artistit Driton Selmani është një mundësi për të gjithë qytetarët që të shprehin mendim e vet se cili është realiteti në Kosovë, me cilin realitet ballafaqohemi ne në rend të parë si qytetarë pastaj edhe si gazetarë… padyshim qëndrimi i AGK-së, është se realiteti në Kosovë është i korruptuar, andaj ne do të shkruajmë së pari atë mesazh këtu në kamion, dhe pastaj qytetarët do të kenë mundësi të kalojnë këndej pari dhe të shprehin qëndrimet e tyre”, tha ajo.

Ndryshe, 3 Maji është Dita Botërore e Lirisë së Shtypit që nga viti 1993 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.