fbpx

Gruevski: Zaevi po i hakmerret Çavkovit për “Mitmarrjen”

Arrestimi i Mitko Çavkovit është hakmarrje personale e Zoran Zaevit. Kështu azilanti dhe ish kryeministri Nikolla Gruevski e komentoi vendimin e gjykatës me të cilin Çavkov përfundoi në burgun e Shutkës. Ish kryeministri vlerëson se ish drejtori i Byrosë për Siguri Publike e paguan çmimin për ndjekjen e Zaevit për rastin “Mitmarrja” ku nga pozita e kryetarit të Strumicës ka kërkuar rryshfet. “Mitko Çavkov është i pafajshëm dhe viktimë e përndjekjes politike dhe procesit të montuar politik, si shumë të tjerë në këtë rast që u krijua si rezultat i zgjedhjes së planifikuar të kryetarit të paligjshëm të Kuvendit, të kurdisur pikërisht në momentin kur para Kuvendit zhvilloheshin protesta të qytetarëve që zgjasnin më pak se dy orë në ditë. Proces në të cilin së pari është caktuar dënimi i Çavkovit dhe të akuzuarve të tjerë, ndërsa më pas ka filluar procesi i gjykimit, ndërsa Zaev që kur erdhi në pozitën e kryeministrit deklaroi se Çavkov duhet të ikë prej tij, e me këtë paralajmëroi se do përndiqet”, shkroi Gruevski në faqen e tij të Facebook-ut nga Budapesti.