fbpx

Haradinaj porosi funksionarëve: Jo më për pushime me vetura zyrtare

Qeveria e Kosovës ka vendosur që të kontrolloi ngasësit e veturave zyrtare derisa dalin jashtë shtetit. Në mbledhjen e ekzekutivit, është miratuar vendimi me të cilin urdhërohen të gjithë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës për përdorimin e automjeteve zyrtare në mënyrë strikte vetëm për qëllime zyrtare.
Me këtë, Policia e Kosovës obligohet që të kontrollojë autorizimin përkatës të ngasësit të veturës zyrtare derisa ajo kalon kufirin.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se me këtë po synojnë që mos të ketë lëvizje të stafit në mënyrë të paautorizuar.

“Obligohet Policia e Kosovës që në rastin e kontrollit të një automjeti zyrtar të kontrollojë autorizimin përkatës për të siguruar se vozitësi i automjetit zyrtar posedon autorizimin zyrtar për përdorimin e automjetit dhe në rast të mungesës së tij të bëjë njoftimin, pra fjala është daljen jashtë vendin me makina zyrtare, bëhet fjalë për makina zyrtare të Kosovës që dalin jashtë vendit, me një shkresë përcjellëse të personit të autorizuar se a është i autorizuar një person me dalë jashtë vendit me makinë zyrtare…. Që mos të ketë lëvizje të stafit ose kolegëve të tjerë ose deri në Durrës ose diku tjetër, në mënyrë të paautorizuar”, tha ai.

Haradinaj tha se autorizimet i japin ministrat ose sekretarët e përhershëm. Ai theksoi se po autorizojnë Policinë e Kosovës që t’u kërkojnë shoferëve zyrtarë autorizimin zyrtar për destinacionin e caktuar.