fbpx

I iku gruaja me dy fëmijë për në ISIS: Burri kërkon kthimin e fëmijëve (Video)

Para katër vitesh, Rashida, gruaja e Bashir Shikder, mori dy fëmijët e saj dhe udhëtoi për në Siri për t’iu bashkuar ISIS’it, duke shpërfillur ankthin dhe lutjet e burrit të saj për t’u kthyer në shtëpinë e tyre në Florida, raporton The Guardian.

https://youtu.be/DEZCZ4g5UTs

Pasi dëgjoi se gruaja e tij ka vdekur dhe se fëmijët e tij, Yusuf-i nëntë vjeçar dhe Zahra pesë, po mbahen nga xhihadistët, Bashir-i udhëtoi për në Irak me shpresën se do të mund ta kalojë kufirin në Siri dhe  t’i shpëtojë fëmijët.

“Yusuf’i im, Zahra ime, ata janë vetë jeta ime. Ajo që më bie ndër mend është se si vraponte, si luante me Lego. Ndërsa Zahra, ajo ishte e qetë, e urtë. Dhe ajo që më kujtohet, është buzëqeshja e saj e bukur”, kështu i kujton fëmijët e tij Bashir Shikder, që tashmë kanë mbetur në duar të ISIS’it.

Në vitin 2015, Shikder shkoi për pelegrinazh në Mekë. Prej aty, gruaja e tij Rashida, i mori dy fëmijët, djalin atë kohë pesë vjeç dhe vajzën nëntë muajshe dhe shkoi në Siri për t’iu bashkuar ISIS’it.

Në janar të këtij viti, Rashida u vra gjatë një sulmi, kurse fëmijët mbetën me lëndime serioze.

Tashmë babai 37 vjeçar ka udhëtuar në Irak, me shpresën se do të arrijë të hyjë në Siri dhe t’i marrë fëmijët e vet.

“E kam një shpresë të madhe se do të mund t’i takoj fëmijët e mi, t’i përqafoj dhe t’i marr me vete”, ka thënë ai.