fbpx

Intensifikohet komunikimi politik Shkup-Athinë

Pas ratifikimit të Marrëveshjes së Prespës dhe fillimit të procesit për implementimin e tij mes vendit tonë dhe Greqisë po intensifikohen aktivitetet diplomatike dhe shpeshtohen takimet në nivel politik.

Për vizitë pune sot në vend qëndron ministrja alternative e Punëve të Jashtme të Greqisë, Sia Anagnostopulu, kumtojnë nga MPJ-ja e Greqisë, njoftoi korrespondentja e MIA-së nga Athina. Anagnostopulu mbrëmë ka arritur në Maqedoninë e Veriut, ndërsa gjatë ditës do të realizojë takime me kryeministrin Zoran Zaev, ministrin e Punëve të Jashtme Nikolla Dimitrovin dhe me zëvendëskryeministrin i obliguar për Çështje Evropiane, Bujar Osmanin.

Në delegacionin grek do të jenë edhe deputetët Teodora Xakri dhe Joanis Sifakis, si dhe sekretari i përgjithshëm për Çështje Evropiane dhe nëpunës tjerë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Greqisë. 

Të hënën në Bruksel, shefi i diplomacisë greke Jorgos Katrugalos së bashku me Teodor Meleskanu, ministrin e Punëve të Jashtme të Rumanisë, vend kryesues me BE-në, organizon drekë me miqtë e Maqedonisë së Veriut në të cilën do të marrë pjesë edhe shefi i diplomacisë së Maqedonisë, njofton korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Kabineti i kryetarit të Qeverisë dhe Ministria e Punëve të Jashtme të Greqisë, punonë në planifikimin e vizitës së kryeministrit grek në Shkup, që sipas një pjese të portaleve informative greke, do të jetë në fillim të muajit të ardhshëm.

Paralelisht, gazetarët në Greqi, duke i’u referuar informacioneve të tyre, shënojnë se pas udhëtimit të Cipras në Shkup, do të vijojë edhe vizitë e Zoran Zaevit në Athinë.

“Ekipi ministror që do ta shoqërojnë Aleksis Cipras,  ende nuk është caktuar,  ndërsa përgatitet edhe delegacioni i biznesit që do të jetë me të,  në pjesë të madhe do të jenë biznesmenë nga Greqia e Veriut. Turizëm,  ndërtimtari, energji do të jenë disa nga fushat  në të cilat do të vendoset theksi. Para, Pashkëve, sërish pritet të realizohet  vizitë e Zoran Zaevit  në pallatin kryeministror”,  publikoi portali grek “Njuzpost”.

Planet për vizitë të Shkupit i zbuloi vetë kryeministri grek të premten në mbrëmje gjatë fjalimit në Forumin e katërt ekonomik në Delfi. Siç publikoi tashmë MIA, Aleksis Cipras tha se shumë shpejtë  do të jetë kryeministri i parë grek i cili zyrtarisht do ta vizitojë Shkupin, i shoqëruar nga delegacioni i biznesit.

Kryeministri Zoran Zaev, duke folur për Agjencinë gazetareske ballkanike të pavarur (IBNA), nga  Konferenca e Sigurisë së Munihut, muajin e kaluar tha se  e pret vizitën e parë  të Aleksis Cipras, “ndoshta  në muajin mars ose prill,  kur është më së miri për të”, dhe shtoi se  pastaj do ta vizitojë Athinën.

“Në Athinë,  për herë të parë do të vij me aeroplanin qeveritar në të cilin do të shkruajë “Republika e Maqedonisë së Veriut”, që t’u tregoj  miqve tanë nga Greqia, nga Maqedonia greke, se e mbajmë fjalën dhe duam marrëdhënie miqësore me fqinjin jugor”, tha Zaev./mia