fbpx

Investimet kapitale, ekspertët: Qeveria ti përveshë mëngët dhe të fillojë me punë

Qeveria ti përveshë mëngët dhe të fillojë me punë. Vetëm në këtë mënyrë mund të ketë një përqindje më të madhe të realizimit të projekteve kapitale. Të dhënat për tremujorin e parë tregojnë një realizim katastrofik të këtyre investimeve prej vetëm 6.2 për qind. Sipas ekspertëve, derisa vitin e kaluar arsyetimi i Qeverisë për dinamikën e dobët të ndërtimit të rrugëve, hekurudhave, gazsjellësit ishte projektimi i dobët, tani nuk ka justifikim të tillë. Nëse nuk mund të realizojë projektet e planifikuara për këtë vit, atëherë duhet të fillojnë me të reja, që janë nevojë për qytetarët. Investimet në kanalizimet, energjinë, në përmirësimin e transportit publik janë të domosdoshme.

Unë sugjeroj qeverinë të hapë projekte të reja, sepse ka mundësi, ka hapësirë, ka vend, ka esencë dhe nevojë për projekte të tilla në Maqedoni. Në energjetikë, në veçanti, asgjë dramatike nuk ndodh në gazifikim, në transportin publik në Shkup, sistem kanalizimi nuk kanë një pjesë e konsiderueshme e fshatrave në Shkup dhe mos të flas si është në nivel të Republikës. Ka hapësirë për pune, por duket se nuk ka kush ta bëjë këtë – tha Pavle Gacov, ekspert tatimor.

Gacov pret që me rishikimin e ri të arkës së shtetit këtë verë, investimet kapitale përsëri të jenë “viktimë”. Ai alarmon qeverinë të mos bëjë gabime si vitin e kaluar, të ardhurat e parealizuara të buxhetit ti harxhojë në mënyrë joproduktive, siç ishte pagesa e borxheve komunale. Fakt është sipas tij se investimet kapitale janë planifikuar keq.

“Ne, si publik, duhet të themi se realizimi këtu shkon shumë keq dhe duhet të mendohet seriozisht, në ç‘mënyrë do të bëhet kjo në të ardhmen, domethënë, kush duhet ta menaxhojë, ta drejtojë atë . Duhet të futet një zgjidhje sistemi, që do të thotë kontroll, inicim, realizim me përgjegjësi”, u shpreh Pavle Gacov, ekspert tatimor.

Edhe pse në tremujorin e parë të ardhurat buxhetore u tejkaluan, Gacov beson se ende ka hapësirë për rritjen e tyre, kryesisht në tatimin mbi vlerën e shtuar. Ende është e lartë përqindja e ekonomisë gri, d.m.th. mos lëshimi i faturave fiskale. Kryeministri Zaev dje njoftoi se për shkak të realizimit të mirë të të ardhurave, këtë verë do të ketë rishikim të buxhetit. Investimet kapitale katastrofike i justifikoi me pagesën e faturave të vjetra. Ai është optimist se në tremujorin e dytë dhe të tretë do të ketë një dinamikë të përshpejtuar. Për këtë vit janë paraparë 420 milionë euro për projekte kapitale, ndërsa në tre muajt e parë janë realizuar vetëm 26.6 milionë euro.

Aleksandra Spasevska