fbpx

Irani kërkon lidhje më të thella politike dhe ekonomike me Irakun

Presidenti i Iranit, Hassan Rohani, po qëndron për vizitë zyrtare në Irak, për herë të parë prejse ka marrë detyrën, pesë vjet më parë.

Pas takimit me homologun irakian në Bagdad, Rohani tha se dëshiron lidhje më të thella politike dhe ekonomike midis dy shteteve, të cilat kanë zhvilluar një luftë të përgjakshme në vitet 1980.

“Ne duam të krijojmë marrëdhënie shumë të ngushta me Irakun. Nuk kërkojmë të jemi në aleancë kundër të tjerëve, por t’i ftojmë edhe shtetet e tjera rajonale në aleancën tonë”, tha Rohani pas takimit me presidentin irakian, Barham Saleh.

Rohani po ashtu tha se Irani i ka dalë në ndihmë Irakut gjatë viteve të fundit, kur ai është kërcënuar nga grupi militant Shteti Islamik.

Saleh, në anën tjetër, tha se pajtohet me “domosdoshmërinë e rritjes së tregtisë” dhe “ngritjes së infrastrukturës ekonomike midis dy vendeve”.

Rohani ndodhet në Irak për vizitë treditëshe.