fbpx

Jelekët e verdhë ‘përmbyten me fake news’, i ndihmon portali i Kremlinit

Fytyra të përgjakura dhe njerëz të shtrirë përtokë: dhuna e Policisë franceze kundër jelekëve të verdhë, që protestonin në Paris vjeshtën e vitit të kaluar, dukej si një fakt i pranuar, të paktën po të gjykoje nga disa video të postuara në Facebook nga disa pjesëtarë të lëvizjes, të cilët akuzojnë mediat dhe qeverinë se kanë dashur ta mbajnë gjithshka të fshehur.

Ose: ndërkohë që “protestuesit paqësorë” (siç lexo­het në tekstin e një video) duket që keqtrajtohen nga Policia, një video tjetër e postuar tregon presidentin francez Emmanuel Macron që kër­cen në një festë. Autori i postimit paralajmëron: “Shpërndajeni shpejt, para se të zhduket”. Por postimi është gjithnjë aty dhe është bërë “share” 192 mijë herë.

Këto dy video janë vetëm dy nga shembujt shqetësues të dizin­formimit, të përhapur në Facebook nga faqe dhe adresa pro-jelekëve të verdhë në pesë muajt e fundit, sipas një raporti të ri të organizatës jofitimprurëse Avaaz, të hartuar me ndihmën e gazetarëve investigativë.