fbpx

Kërkohet rruga ligjore në lidhjen Inter-Ikardi

Interi dhe Mauro Ikardi tashmë kanë mbërritur në një pikë ku duket e vështirë që të ketë më pajtim mes palëve. Klubi as që ka ndër mend t’i ktheje shiritin argjentinasit, ndërsa kërkon që ai të mbajë përgjegjësitë e veta para skuadrës. Por vetë sulmuesi me të drejtë mendon se nuk ka bërë asnjë gjë të papërshtatshme dhe nuk ka pse të pranojë rolin e fajtorit për gjëra që nuk ka bërë e ka thënë. Kjo është arsyeja pse ai vazhdon të mbetet larg ekipit dhe pretendon se ka probleme fizike, duke refuzuar që t’i bashkohej udhëtimit për ndeshjen në Frankfurt. Vetë trajneri Spaleti i kishte kërkuar Ikardit nëse ishte në gjendje t’i bashkohej skuadrës, por sulmuesi argjentinas i është përgjigjur negativisht. Sigurisht që për Interin kjo situatë është e pakuptimtë dhe të gjithë janë të ndërgjegjshëm që Ikardi refuzon të luajë pa shiritin në krah, që gjithsesi nuk do t’i kthehet më. Ndaj për të gjetur në zgjidhje, sipas “Gazzetta Dello Sport” po shqyrtohen edhe rrugët ligjore, ose më saktësisht “kërcënimi” i lojtarit për penalitete ekonomike sipas kontratës nëse refuzon të bëhet pjesë e grupit edhe në vijim për sa kohë që testet mjekësore tregojnë se ai nuk ka asnjë shqetësim fizik.