fbpx

Kina: Nga viti 2014 janë arrestuar 13.000 terroristë në rajonin islamik

Autoritetet kineze kumtuan se nga vitit 2014, në rajonin tradicional islam Sinxhiang janë arrestuar pothuajse 13.000 terroristë dhe janë shkatërruar qindra “banda terroriste”.

Këto të dhëna janë publikuar në raportin e sotëm të Qeverisë në Pekin, i cili ka të bëjë me situatën në rajonin jo të qetë në pjesën verilindore të Kinës.

Autoritetet kineze me raportin insistojnë të përgjigjen në kritikat e rritura në botë lidhur me arrestimin e rreth një milionë pjesëtarëve të grupit etnik të ujgurëve dhe grupeve tjera kryesisht myslimane.

Kampet në të cilat janë të vendosur ata, Kina i quan qendra trajnimi për zejtarë dhe se pjesëmarrja është vullnetare.

Mediat amerikan thonë se ish të burgosurit pohojnë se kanë qenë të maltretuar dhe detyruar të heqin dorë nga islami dhe të jenë besnik ndaj Partisë komuniste të Kinës.

Në raportin e vëllimshëm, gjithashtu, shkruan se “deradikalizimi i bazuar në ligj” në Sinxhiang ka parandaluar rritjen dhe përhapjen e ekstremizmit fetar.

Në dokument potencohet se politika e miratuar është “baraspeshë e vërtetë mes dhembshurisë dhe ashpërsisë”.

Në të thuhet se nga viti 2014 në Sinxhiang “janë shkatërruar 1.588 banda të dhunshme dhe terroriste, janë arrestuar 12,995 terroristë, janë marrë 2.052 mjete shpërthyese, janë dënuar 30.645 njerëz për shkak 4.858 aktivitete fetare ilegale dhe janë marrë 345.229 copë materiale fetare ilegale./MIA/