fbpx

Kryetari i ri i Tuzit: Tani do të frymohet shqip

Bartësi i listës së koalicionit shqiptar “Forumi Shqiptar” nga partia Alternativa Shqiptare, Nik Gjeloshaj, tha se komuna e Tuzit aktualisht është në gjendje jo të mirë për shkak të moszhvillimit ekonomik dhe lënies së saj pas dore për një kohë të gjatë.

Ai ka folur për prioritetet si kryetar i ri i komunës së Tuzit pas fitores së koalicionit “Forumi Shqiptar” në zgjedhjet lokale.

“Komuna ka sjellë mundësi të reja, për zhvillimin e Tuzit. Ajo çfarë është esenciale është se do të bëjmë një administratë shqip, në të cilën do të frymohet shqip. Do të nisim edhe planin e zhvillimit urbanistik, thithjen e investimeve të huaja, motivimin e diasporës, që të vijnë të investojnë këtu, hapjen e vendeve të reja të punës dhe normal duke zhvilluar infrastrukturën e vendit tonë”, ka thënë ai.

Gjeloshaj shprehet i bindur se kur bashkohen shqiptarët, aty nuk ka lider, ndërsa zotohet se do të përçojnë mesazhin më të mirë për të gjithë shqiptarët kudo që janë përfshirë edhe ata në diasporë.

“Absolutisht do të bëjmë bashkimin e gjitha subjekteve që jemi këtu me diasporë, do të përçojmë një mesazh te të gjithë shqiptarët kudo që janë për atë që kanë bërë për këtë proces zgjedhor për ne”, tha Gjeloshaj.

Në garën për të parin e Tuzit, i cili ka marrë statusin e plotë të komunës së pavarur më 1 shtator të vitit të kaluar, kanë garuar pesë parti politike dhe koalicioni i tri partive kryesore politike shqiptare, i cili ka fituar zgjedhjet duke marrë 16 mandate, duke bërë që kjo të jetë komuna e parë që udhëhiqet nga shqiptarët në Mal të Zi, derisa në Ulqin shqiptarët pësuan humbje në zgjedhjet e vitit të kaluar.