fbpx

Kuba mohon pretendimet e Trumpit: Nuk kemi ushtri në Venezuelë

Kuba mohoi pretendimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) se në Venezulë ka njësi ushtarake kubaneze, transmeton Anadolu.

Kreu kubanez për marrëdhënie me SHBA-të, Carlos Fernandez de Cossio për Associated Press tha se janë të pasakta ptetendimet e administratës amerikane se në Venezuelë ka më shumë se 20 mijë trupa kubaneze dhe agjentë të inteligjencës.

Cossio tha se në Venezuelë ka rreth 20 mijë shtetas të Kubës, por se këta janë punonjës shëndetësorë.

“Atje nuk kemi ushtri. Kuba nuk merr pjesë në operacionet ushtarake apo të sigurisë në Venezuelë”, ka thënë Cossio.

Pavarësisht nga fakti se nuk ka ushtarë kubanezë, Cossio theksoi se Kuba dhe Venezuela kanë të drejtë legjitime të forcojnë bashkëpunimin ushtarak dhe të inteligjencës.

“Amerikanët kanë 600-700 baza ushtarake nëpër shtetet e botës, me rreth 800 mijë ushtarë. Në këtë drejtim, në rajonin tonë është i mundshëm bashkëpunimi mes çdo vendi. Ne në fakt e kemi me shumë vende dhe kjo është një e drejtë legjitime edhe Kubës edhe e Venezuelës”, tha Cossio.

“Nëse ushtarët kubanezë dhe njësitë e parregullta nuk ndërpresin menjëherë operacionet ushtarake dhe operacione të tjera që kanë për qëllim shkatërrimin e Venezuelës, Kuba do të futet në embargo të plotë dhe në nivelin më të lartë të sanksioneve”, shkroi më herët presidenti i SHBA-ve, Donald Trump në Twitter.

Udhëheqësi i opozitës venezueliane Juan Guaido lëshoi një video- mesazh të martën, ku me një kontigjent të njerëzve me uniforma dhe automjete të blinduara bënin thirrje për kryengritje dhe për t’i dhënë fund “uzurpimit” të Maduros, si dhe bëri thirrje për demonstrata masive kundër presidentit.

Ai theksoi se kjo ishte fillimi i fazës përfundimtare të përpjekjes për të përmbysur Maduron, i njohur si operacioni Liberty (Liria).

Qeveria e Venezuelës, megjithatë, njoftoi se ka nisur një aksion për të shtypur përpjekjen e grushtit ushtarak pas së cilës qëndron Guaido dhe një grup i vogël i “tradhtarëve të shtetit”. Presidenti Maduro ftoi popullin në rrugë për të mbrojtur atdheun e tyre dhe rendin kushtetues.