fbpx

“La Scala” refuzon financimin e Arabisë Saudite

“La Scala” e famshme e Italisë do t’i kthejë Arabisë Saudite më shumë se 3 milionë euro, pas reagimit të fortë publik që ngjallën planet e financimit të Teatrit të Operas nga Mbretëria e Gjirit.

Marrëveshja që ndezi debate në mbarë Italisë do t’i lejonte ministrit saudit të Kulturës të kishte një vend në bordin drejtues, e kjo pikërisht në kohën kur monarkia është më shumë se kurrë në vëmendje me historikun e saj të të drejtave të njeriut, që po vëzhgohet me rreptësi të madhe pas vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi në tetor.

Grupe të të drejtave të njeriut dhe politikanë ishin ndër zërat më kritikë të këtij vendimi dhe thirrjet e tyre nuk ranë në vesh të shurdhër.

Presidenti i “La Scala”-s, Giuseppe Sala, që është edhe kryetar bashkie i Milanos, deklaroi se janë të vendosur t’i kthejnë paratë dhe të shohin nëse do të gjejnë mundësi të tjera bashkëpunimi.

Zëvendëskryeministri italian, Matteo Salvini ishte një prej atyre që u ankuan më shumë për këtë ujdi, ndërsa guvernatori i rajonit të Lombardisë, gjithashtu anëtar i “Lega Nord”, kishte kërkuar pezullimin e drejtorit artistik të Operës, Alexander Pereira, njeriu që negocioi marrëveshjen./tch/