fbpx

Lëndohet gjyqtari, “pensionisti” do drejtojë “El Clasico”

Federata Spanjolle e Futbollit ka vendosur që të bëjë një ndryshim të papritur sa i përket gjyqtarit kryesor të ndeshjes së të shtunës në “Santiago Bernabeu” ku do të vihen përsëri përballë Real Madrid dhe Barcelona. Normalisht sfida në fjalë duhej të drejtohej nga Alehandro Hernandez Hernandez, por sot u dha një njoftim se dueli mes dy skuadrave do të ketë si kryesor Undiano Majenko. Hernandez, sipas njoftimit, kishte pësuar një dëmtim dhe nuk do të ishte i gatshëm për këtë ndeshje, pa specifikuar se për çfarë bëhej fjalë. Ndaj ishte vendosur Majenko, i cili në fakt në këtë fundjavë e kishin caktuar në një ndeshje tjetër si përgjegjës i VAR. E veçanta e emrit të ri është se Majenko në fund të këtij sezoni do t’i japë lamtumirën arbitrimit dhe për të, ky do të jetë “El Clasico” i fundit. Ai ka drejtuar 9 ndeshje mes dy skuadrave në karrierën e tij, me 5 suksese të Barcelonës, 3 të Realit dhe 1 barazim. Të dy ndeshjet e vetme në La Liga që ka drejtuar në “Santiago Bernabeu” janë mbyllur me suksesin katalanas, një prej të cilëve edhe 6-2 e famshme në vitin 2009.