fbpx

Liderët kosovarë shprehin ngushëllime për viktimat në Zelandën e Re

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar për sulmin në dy xhami në Christchurch, në Zelandën e Re, ku të paktën 49 persona humbën jetën dhe 48 të tjerë u plagosën.

“Akti terrorist në Zelandë të Re, ku mbeten të vrarë dhjetëra njerëz të pafajshëm, cenon vlerat e një vendi të lirë dhe na prekë të gjithëve. Në emër të Qeverisë së Kosovës, shpreh dhimbjen për viktimat njerëzore të kësaj ngjarje të rëndë. Ngushëllime familjeve dhe institucioneve të Zelandës së Re. Terrorizmi, pa marrë parasyshë nga kush vjen, është e keqja më madhore me të cilën duhet të përballemi të gjithë së bashku. Kosova do të vazhdojë të japë kontributin e saj përkrah aleatëve strategjikë për sigurinë globale”, ka shkruar Haradinaj në profilin e tij në Facebook.

Reagime kishte edhe nga presidenti i Kosovës Hashim Thaçi i cili ka dënuar ashpër sulmin terrorist.

“Republika e Kosovës e dënon ashpër aktin terrorist në xhamitë në Christchurch të Zelandës së Re, ku u vrarë 40 persona dhe u plagosën 20 të tjerë. Në këto momente të rënda, populli dhe institucionet e Kosovës ndajnë dhimbjen me familjet e viktimave dhe shtetin mik të Zelandës së Re. Aktet e tilla dëshmojnë për domosdoshmërinë e vazhdimit të luftës kundër çdo forme të ekstremizmit dhe terrorizmit në botë”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli gjithashtu ka shprehur trishtimin e tij për sulmin terrorist që ndodhi sot në Zelandën e Re.

“I trishtuar nga sulmi makabër terrorist në namazin e së premtes në Christchurch. Mendimet tona sot janë me Zelandën e Re, dhe në veçanti me familjet dhe miqtë e viktimave”, shkroi Pacolli në Facebook.