fbpx

Ligjet reformuese, deri të mërkurën formohen grupet e punës

Të mërkurën formohen grupet e punës mes Qeverisë dhe opozitës për përpilimin e ligjeve reformuese. Të njëjtat do të formohen në nivel partish, duke mos përfshirë deputetët. Opozita theksin vendos tek Ligji për Prokurorinë Speciale Publike dhe Ligji mbi Agjencinë për Siguri Kombëtare. Kërkesë e tyre gjithashtu është edhe zgjedhja e kryeprokurorit të ri.

Jemi marr vesh që ditëve në vijim të takohen përfaqësuesit e partive tona të cilat më pas do të merren vesh për formimin e grupeve të punës për grupin e ligjeve reformuese me prioritet, pjesë e agjendës Evropiane. Vlerësojmë se në këtë drejtim duhet punuar me shumë kujdes nga ana e ekspertëve. Ne konsiderojmë se kjo PSP dhe këta njerëz që udhëheqin me PSP-në nuk i plotësojnë kushtet dhe neve për këtë arsye nuk e përkrahim këtë prokurori – tha Dimçe Arsovski, Zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

Nga LSDM nuk pranojnë të komentojnë formimin e grupeve duke shtuar se detajet nga takimi i liderëve do të diskutohen edhe në parti. Kryeministri Zoran Zaev gjatë ditës shprehu mirënjohjen ndaj opozitës për dorën e zgjatur dhe pajtimin për formimin e grupeve të punës me qëllim përpilimin e përbashkët të ligjeve reformuese. Zaev shtoi se këto ligje janë të rëndësisë së veçantë për marrjen e datës për bisedime me BE-në. Propozim-ligji për Prokurorinë Publike parashikon përfshirjen e PSP-së në kuadër të organit të përgjithshëm të akuzës. Brenda Speciales do të funksionojë edhe qendra hulumtuese apo departamenti për hetime. Në këtë rast kufizohen edhe kompetencat e kryeprokurorit ndaj Prokurorisë Speciale ku i pari i organit të akuzës nuk do të mund të ndërmerr masa hetuese pa lejen e prokurores speciale derisa hetimi kryqëzohet me kompetencat e organit special të akuzës.

Kompetencat e Prokurorisë Speciale Publike.

“Kompetente për veprat penale që dalin nga ndjekja e paligjshme e komunikimeve nga vitit 2008-2015, për të cilat janë ngritur akuza, janë hapur hetime apo janë ndërmarr masa në përputhje më Ligjin për PSP-në. Kompetente për veprat penale kundër proceseve zgjedhore dhe votimeve. Kompetente për larje parash, mashtrim, marrje e mitos, shpërblim për ndikim të jashtëligjshëm, pasuri e paligjshme, mashtrim me letrat me vlerë, keqpërdorim i thirrjeve publike, pengesa dhe prishja e konkurrencës së lire.  Kompetente për veprat penale: dhënia e deklaratës së rrejshme, identifikimi dhe zbardhja e dëshmitarit të mbrojtur, pengesa ndaj personit zyrtar, etj”.

Propozimi i Ministrisë së Drejtësisë i cili duhet harmonizuar mes grupeve të punës, kufizon Prokurorinë Speciale në akuzat e lartpërmendura, për dallim nga kompetencat aktuale ku Specialja gëzon të drejtën e për ngritjen e akuzave ndaj çdo vepre penale që buron nga përgjimet e paligjshme. Opozita kërkon që në ligj të përfshihet edhe mundësia që Prokuroria e Publike të ngrit akuza për rastet që dyshohen të jenë të montuara politikisht.

Adrian Kerimi