fbpx

Liria e mediave, Maqedonia e Veriut në vendin e 95-të

Dita ndërkombëtare e lirisë së shtypit e gjen vendin në një situatë më të mirë sa u takon mediave në krahasim me vitet e kaluara por akoma me vështirësi të caktuara në funksionimin e tyre. Këshilli për Etikë në Mediat në Maqedoni, Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë, Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatik dhe Instituti Maqedonas për Media kërkojnë angazhim më serioz nga të gjitha palët relevante rreth reformave në sektorin mediatik në vend.

Shoqatat e mediave

Në periudhën e kaluar u bënë përpjekje që rezultuan me përmirësimin e ambientit në të cilin punojnë gazetarët dhe punonjësit mediatik,
… ndryshimet kryesore sistematike nuk kanë mbaruar, si reformat në servisin publik dhe në rregullatorin mediatik.

Mediat komerciale edhe më tutje përballohen me sfida të rënda për shkak të tregut të vogël të marketingut, që ndikon në cilësinë e përmbajtjeve të tyre.
Kërkojmë nga Prokuroria Themelore Publike dhe nga gjykatat t’i procedojnë deri në fund lëndët ku janë shkelur të drejtat e gazetarëve, si dhe lëndët ku është vërejtur gjuha e urrejtjes.

Në raportin e fundit të “Reporterë pa kufijë”, vendi radhitet i 95-ti duke përparuar për 14 vende në krahasim me një vit më parë. Me rastin e 3 Majit, Sekretariati për Çështje Evropiane përkujton se liria e shprehjes është një ndër kriteret e rëndësishme të integrimeve.

Unë jam krenar dhe i kënaqur për lëvizjen para të lirisë së shprehjes dhe është një argument i rëndësishëm të cilin e shfrytëzojmë në Bruksel para vendeve anëtare të Bashkimit Evropian për përgatitjen e vendeve në përmbushjen e standardeve për fillim të bisedimeve- deklaroi Bujar Osmani, zv.kryeministër për Çështje Evropiane.

Ministri pa resor i angazhuar për mediat, Robert Popovski u zotua se pushteti nuk do të ndërhyjë në punën e mediave.

Kjo qeveri kurrë nuk do të përzihet në punën e mediave. Kushtet për punë të gazetarëve, mediave dhe punonjësve të mediave akoma janë larg nga niveli të cilin e dëshirojmë prandaj në periudhën e ardhshme do të bëjmë gjithë çfarë mundemi për të përmirësuar kushtet, standardin e gazetarëve dhe punonjësve të mediave, ambientin e punës dhe vetë mediat të jenë akoma më të fuqishme financiarisht por edhe në aspektin se si janë vendosur brenda që të munden edhe ata të sigurojnë dhe të promovojnë gazetari edhe më cilësore dhe të përfitojë në cilësi edhe gazetaria hulumtuese- Robert Popovski, ministër pa resor, i angazhuar për mediat.

Sipas ministrit të Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski, në vitin 2018 në krahasim më periudhën e njëjtë të këtij viti, numri i sulmeve të regjistruar ndaj gazetarëve është ulur për tre herë.

Nga 1 qershori 2017 deri sot, janë zgjidhur rastet e të gjithë sulmeve ndaj gazetarëve që kanë ndodhur pas 1 qershorit. Në radhë për reforma është Këshilli i Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audio-Vizuale dhe radiodifuzionit Kombëtar dhe pres që nga mesi i këtij viti do të kemi rezultate të dukshme në atë pjesë- tha Damjan Mançevski, ministër i Shoqërisë Informatik.

Ministrat theksuan debatet televizive të realizuara së fundmi mes kandidatëve për president, si tregues për atmosferë më demokratike në media në krahasim me vitet e kaluara.

Fatlume Dervishi