fbpx

Luiza Gega, skualifikohet nga gara në Glasgou

Europiani i sallave të mbyllura në atletikë i këtij viti (1-3 mars në Glasgou) ka qenë i mallkuar për atletikën shqiptare. Pas dëmtimit pak orë para garës të Izmir Smajlaj, që nuk garoi në kërcim së gjati, në mbrëmje ka ardhur lajmi se është skualifikuar Luiza Gegës. Ajo duhej të garonte në mbrëmjen e 1 marsit në finalen e 3000 metrave, por atletja kuqezi nuk ka qenë fare në start. Gega është skualifikuar pak orë para garës nga organizatorët e Europianit që po zhvillohet në Glasgou të Skocisë. Luiza Gega ishte kualifikuar në dy disiplina: 1500 dhe 3000 metra. Sipas informacionit që vjen nga Britania e Madhe, atletja kuqezi duhej të kishte deklaruar 24 orë më parë se nuk do të garonte në 1500 metra, garë e cila zhvillohej më herët (paradite) dhe se në pistë do të zbriste vetëm në 3000 metra (në mbrëmje). Për pasojë, kjo mungesë e njohjes së rregullores i ka kushtuar rëndë atletes, që është skualifikuar nga organizatorët. Madje Luiza Gega nuk ka qenë fare në “start-list” të garës së 3000 metrave, ndërsa në garën e 1500 metrave figuron si një sportiste që nuk ka marrë pjesë në atë garë.