fbpx

Mickoski: Grupet e punës do të punojnë për propozim ligjin e PSP-së dhe për ligjet e tjera reformuese

Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski pas takimit me kryeministrin Zoran Zaev tha se gjatë takimit është biseduar në dy shtylla kryesore, respektivisht  për sigurimin e kushteve për zgjedhje presidenciale fer dhe demokratike dhe për ligjet reformuese, me qëllim hapjen e negociatave për anëtarësim në BE.

Mickoski e vlerëson takimin si të dobishëm, për shkak se është arritur marrëveshje, që prej nesër të fillohet me punë grupet e punës në drejtim të arritjes së një konsensusi mbi  propozim ligjin për Prokurorinë Speciale dhe ligjet e tjera reformuese. Sipas tij Katica Janeva dhe ekipi i saj në Prokurorinë Speciale kanë humbur kredibilitetin dhe nuk janë persona adekuat për udhëheqjen e  këtij instuticioni.

“Ne e kemi marrë propozim tekstin e ligjit ditën e enjte, nuk kemi pasur edhe shumë kohë që të thellohemi në supstancën e ligjit. Për ne është e rëndësishme të theksojmë se ky prokurorë special publik e ka humbur kredibilitetin edhe profesional por edhe personal për ta fituar besimin tonë, përfshi këtu edhe të gjithë ekipin e saj. Mund ta hapim si temë integrimin e Prokurorisë Speciale në Prokurorinë Publike, sepse është pjesë e ligjeve reformuese. Kemi theksur kërkesën tonë për prokurorë special të propozuar nga opozita. Nga nesër jemi të gatshëm të formojmë grupe pune për këtë çështje”, theksoi Mickoski.

Në lidhje me zgjedhjet presidencial, Mickoski tha se kreu i qeverisë ka pranuar të dëgjoj kërkesat e tyre, por se për disa çështje duhet të konsultohet me bashkëpunëtorët në parti.

“Jemi dakorduar për komunikim operativ mes dy shtabeve zgjedhore, shpresojmë që të na bashkangjitet edhe shtabi zgjedhor i kandidatit të tretë”, tha Mickoski

Ai shtoi se për momentin nuk është i sigurt nëse qeveria ka siguruar kushte optimale për zhvillimin e zgjedhjeve presidenciale korrekte dhe demokratike, por se shpreson që ditëve në vijim qeveria të përmirësoj dobësitë e treguara.