fbpx

Motot e partive për zgjedhjet presidenciale

Mbi 60 deputetë kanë nënshkruar për zyrtarizmin e kandidaturës së Stevo Pendarovskit për president të shtetit. Koalicioni qeverisës i cili qëndron prapa kandidaturës së Pendarovskit do të kërkojë edhe nënshkrimet e qytetarëve me qëllim që kandidimi mos të reflektojë vetëm politik. Fushata e Pendarovskit do të bazohet në promovimin e konceptit një shoqëri për të gjithë pa përfshi sulmet ndaj oponentëve.

Ne si koalicion i madh dhe i gjerë i cili jemi rreshtuar pas Pendarovskit do të bëjmë fushatë të qetë dhe me dinjitet e cila do të sigurojë fitore të garantuar. Të gjitha ne si parti e kemi për obligim të sigurojmë zgjedhje të lira dhe demokratike”- tha Aleksander Kiracovski nga  LSDM.

Fushata e kandidatit të opozitës shqiptare, Blerim Reka do të bazohet në promovimin e shtetit të të gjithëve. Reka i cili sot falënderoi qytetarët për mbështetjen e dhënë me nënshkrimet e nevojshme theksoi se për dallim nga kandidatët e tjerë, fushata e tij nuk do të jetë tradicionale.

Në krahasim me kandidaturën e Pendarovskit i cili e ka moton “Shoqëri për të gjithë”, unë dalloj prej tij sepse unë them shteti për të gjithë. Nuk mjafton që të thuhet shoqëri për të gjithë që qytetarët të jenë të barabartë. Sa i përket kandidaturës së Siljanovskës, unë aty dalloj sa i përket dy poentave që ajo i potencon në fushatën e saj dhe ajo është kundër Marrëveshjes së Prespës dhe Marrëveshjes së Ohrit. Unë përkundrazi jam për të dyja marrëveshjet”- theksoi Blerim Reka, profesor. 

Fushata e VMRO-DPMNE-së do të fokusohet në akuzat ndaj siç e quan kjo parti, “Zaevizmit” dhe shitjen e interesave shtetërore dhe kombëtare.

Është e pamundur që Zaevizmi të anashkalohet nga fushata për secilin i cili realisht i shef problemet dhe dëshiron të jetë i sinqertë para qytetarëve”- tha Naum Stoillkovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

Kandidatët deri më 21 mars duhet t’i përmbushin kushtet ligjore për të marr pjesë në garën presidenciale. Më 1 prill fillon fushata zgjedhore ndërsa më 21 prill zhvillohet raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale. Që zgjedhjet të jenë ligjore dhe legjitime, në votim duhet të dalin 40 për qind nga lista e qytetarëve që kanë të drejtë vote.

Adrian Kerimi