fbpx

Ndihmës sekretarja amerikane viziton sot Kosovën

Ndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit për Çështjen e Narkotikëve, Kirsten D.Madison do të vizitojë sot Kosovën.

Madison do të bëjë dorëzimin e një donacioni për Agjencinë kosovare të Forenzikës me fillim nga ora 13:40.

Ndryshe vizita e saj u paralajmërua ditë më parë, ku ndër të tjerash u bë e ditur se Madison do të takohet me kryeministrin Ramush Haradinaj, zyrtarë të Policisë ë Kosovës, të Ministrisë së Drejtësisë, të Shërbimit Korrektues dhe anëtarë të shoqërisë civile, në mënyrë që të nxisin reformën në drejtësi dhe në zbatimin e ligjit në Kosovë.

Zyrtarja e shtetit Amerikan para se të vizitojë Kosovën, do të jetë kryesuese e një delegacioni amerikan që do të marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë të Komisionit të 62-të për drogat në Vjenë. Delegacioni i ShBA-së do të përfshijë përfaqësues të Departamentit të Drejtësisë, Administratës për Narkotikët, Departamentit e Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore, Administratën e Ushqimit dhe Barnave si dhe Zyrën e Shtëpisë së Bardhë të Politikës Kombëtare të Kontrollit të Drogës.

Në këtë takim, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të kërkojnë veprime në rritje nga vendet e ndryshme, për të kontrolluar narkotikët e paligjshme sintetike që po ushqejnë krizën e tanishme të opioideve në ShBA.

Ndryshe duhet cekur se Departamenti amerikan i Shtetit lufton trafikimin e narkotikëve, krimin ndërkombëtarë dhe korrupsionin kudo në botë, duke ndihmuar qeveritë e ndryshme dhe shoqërinë civile të ndërtojnë shoqëri të forta, të qëndrueshme dhe të ndershme që luftojnë krimin ndërshtetëror dhe destabilizimin, të cilat kërcënojnë sigurinë e amerikanëve.

Në Kosovë gjatë ditëve të kaluara për vizitë ishin edhe zyrtarë të tjerë amerikanë, por që temë diskutimi e vizitës së tyre ishte aktualiteti politik.