fbpx

Nxënësit e talentuar duan të braktisin vendin

Të rinjtë publikisht paralajmërojnë largimin nga vendi nëse shteti nuk fillon të investojë në talentin e tyre. Ndjehen të revoltuar pasi vitin e kaluar kishin marr premtime për shkollë të posaçme për fëmijët me inteligjent mbi mesataren, por asgjë nga kjo. Ata ankohen edhe se mjetet që investohen për ta janë minimale.

Duhet të investohet më shumë mund pasi vitin e kaluar kishte paralajmërime se në Shkup do të hapet gjimnazi për fëmijë të talentuar, që kanë dëshirë të madhe të marrin pjesë në gara dhe ta avancojnë dijen e tyre, por kjo fatkeqësisht nuk ndodhi. Shpresoj që të ndërmerret diç urgjentisht, pasi shumë talent si ne do të tentojnë të largohen nga shteti në kërkim të arsimit më të mirë. E duam shtetin, por do të largohemi- thotë Darko Stojçev, student.

Ekspertët ndërkombëtar paralajmërojnë katastrofë me përmasa të mëdha nëse të rinjtë vazhdojnë të largohen nga vendi. Problemet do të rriten ndërsa nuk do të ketë kush t’i zgjidh- shprehet Benxhamin Perks, përfaqësues i UNICEF-it. Sipas tij, talenti vetvetiu nuk garanton sukses dhe se patjetër duhet të sendërtohet.

Sistemi arsimor në Maqedoni vitet e kaluar është përkeqësuar ndërsa në shtetet fqinje po përmirësohet. Kjo duhet të ndërpritet dhe të ecim në drejtimin e duhur. Kjo bëhet me reforma që duhet ta përmirësojnë arsimin- deklaroi Benxhamin Perks- UNICEF .

Shteti nuk bën mjaft për talentet e rinj, pranon edhe drejtori i Fondit për inovacione, Jovan Despotovski. Për mbështetjen e fëmijëve që marrin pjesë nëpër gara vendore apo ndërkombëtare, vitin e kaluar nga arka e shtetit janë ndarë 160 mijë euro, shumë që Despotovski vlerëson se është e vogël dhe duhet të rritet. Shumica e analizave në këtë temë tregojnë se të rinjtë vendosin të largohen sidomos për shkak të standardit të ulët jetësorë, nevojës për librezë partiake për punësim, sistemin e dobët arsimor dhe sistemin e vjetërsuar shëndetësorë.

Ile Spasevski