fbpx

Opozita në Shqipëri vazhdon protestat, kërkon largimin e Ramës

Nënkryetari i PD-së, Edi Paloka, tha se dita e largimit të Ramës si kryeministër është e afërt.

DASH e cilësoi Shqipërinë si qendrën e drogës, pastrimit të parave, qendrën ku krimi i organizuar mblidhet për tu shpërndarë në Europë dhe deri në SHBA. Është një raport që dikur ja kanë bërë vetëm Noriegës. Prandaj jemi në protestë derisa ai të shporret. Të jeni të bindur se dita që ai Kryeministër që nuk përfaqëson asnjë nga shqiptarët e ndershëm, do të largohet është shumë e afërt – tha Edi Paloka, nënkryetar i PD-së.

Nga foltorja e Kuvendit, kryeministri shqiptar Edi Rama tha se nëse do të ketë zgjedhje të parakohshme e vendos PS-ja por asnjë negociator, qoftë dhe ai i rënë nga qielli.

Ka s’ka zgjedhje të parakohshme këtë gjë kurrë nuk mund ta përcaktojë shantazhi, kërcënimi dhe asnjë lloji negocimi. Zero. Kjo është pjesë e mënyrës si ndërtohen strategjitë e brendshme. Është thjesht vullnet i njëanshëm i PS-së, nëse do të gjykojmë ne por jo për shkak të tyre – tha Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë.

Rama përjashtoi dhe mundësinë e futjes së deputetëve që dogjën mandatet më në kuvend.

Ata që ikën dhe braktisën dhe shkelën me këmbë të drejtën e atyre që përfaqësuan nuk kanë për tu kthyer këtu përmes një rruge ekstraligjore dhe asnjë lloj dialogu që çon pazar . Kjo nuk ka për të ndodhur. Zgjedhje të parakohshme se tani na ka mbetur fallxhorja pa rrogë nuk ka. Të vazhdojë të hedhë fall dhe në atë zonë atje ku ka nevojë për më shumë shpresë falli paguhet të shkojë e të mbajë në këmbë revolucionin e filxhanit por këtu jo – u shpreh Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë.

Përpara Kryeministrisë, një piramidë kartoni e vizatuar me breza bardhezi, e që mbante emrin e kryeministrit Rama në krye, është shkrumbuar. Me këtë akt iu dha fund protestës.

Vjollca Aliti