fbpx

Panuçi në vend të Di Françeskos te Roma?

Kristian Panuçi mund t’i japë lamtumirën që këtë javë përfaqësueses shqiptare të futbollit, me një lëvizje të papritur e që do të ishte një goditje shumë e rëndë për ngjyrat kuqezi vetëm pak javë para fillimit të eliminatoreve të Euro 2020. Gjithçka lidhet me Eusebio Di Françeskon dhe aventurën e tij te Roma, e cila pritet të mbyllet të mërkurën në darkë. Sipas mediave italiane, Di Françesko nuk pëlqen aspak faktin që vihet gjithmonë në diskutim dhe si në rast kualifikimi, ashtu edhe eliminimi, do t’i japë lamtumirën italianëve pas ndeshjes kundër Portos. Gjithashtu, në mediat italiane shihet Kristian Panuçi si kandidati më i mundshëm për të marrë drejtimin skuadrës deri në fund të këtij sezoni. Ai është në garë me Paulo Sousa, por vetë në klub duan një ish-futbollist që njeh ambientin ndaj zgjedhja bie te ai. Siç është shkruar edhe në ditët e mëparshme, vetë Panuçi është gati t’i japë lamtumirën Shqipërisë, pasi mund të ndërpresë me një penalitet minimal kontratën që ka lidhur në vitin 2017.