fbpx

Pas takimit me Hale, Thaçi: Kosova është gati për dialog me Serbinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas takimit me zyrtarin amerikan, David Hale, përmes Facebook-ut njoftoi se temë e diskutimit ishte aktualiteti politik në Kosovë, e ardhmja euroatlantike e vendit dhe bashkëpunimi bilateral me SHBA-në.

“Biseduam edhe për zhvillimet aktuale në Ballkanin Perëndimor, me theks të veçantë për vazhdimin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë në këtë momentum të ri, si mundësi për një marrëveshje përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse, që do t’i mbyllë të gjitha çështjet e hapura në mes të vendeve tona. Pra, për një marrëveshje ligjërisht obliguese, që do të sjellë njohjen reciproke dhe ulësen në Kombet e Bashkuara dhe që do të na mundësojë që të kalojmë nga gjendja e armiqësisë së përhershme në një gjendje të paqes, normalitetit dhe bashkëpunimit mes vendeve tona”, shkroi Thaçi.

Thaçi deklaroi se, duke mos u pajtuar me kushtëzimet e Beogradit, ia kanë përsëritur zotimin se Kosova është gati për dialog sa më gjithëpërfshirës dhe transparent e për këtë edhe Kuvendi i Kosovës e ka miratuar Platformën për Dialogun.

“Ne i shprehëm edhe një herë falënderimin tonë për letrat e presidentit Trump dhe mbështetjen për një marrëveshje që balancon interesat e të dyja vendeve, si të pavarura dhe sovrane. Por, edhe e shprehëm qëndrimin se Status Quo-ja dhe gjendja e konfliktit të ngrirë është e papranueshme”, përfundon Thaçi.

Bashkë me presidentin kosovar, në këtë takim me Hale ka qenë edhe kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli dhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj.