fbpx

Përplasje në manifestimin e 1 Majit në Francë

Akte dhune janë verifikuar në Francë ditën e 1 majit. Përveç sindikatave, në rrugë për të protestuar kishin dalë edhe aktivistë të lëvizjeve “Jelekët e Verdhë” dhe “Kapuçët e Zinj”, të cilët u përleshën me policinë.

Filip Martinez akuzoi policinë se kishte acaruar anëtarët e sindikatës së tij, edhe pse dëshmitarë të tjerë akuzuan anëtarët e “Kapuçëve të Zinj” se kthyen në dhunë marshimin e sindikatës. Nga ana e saj policia shpërndau një komunikatë ku deklaroi se, sindikata nuk kishte qenë kurrë objektiv i saj dhe se efektivët kishin bërë vetëm detyrën e tyre kundër individëve agresivë.

Mediat franceze raportojnë se aktet e dhunës detyruan edhe përfaqësuesit e sindikatës së mësuesve, FSU, të braktiste eventin. Ndërkohë, në orët e pasdites Ministria e Jashtme franceze deklaroi se personat që kishin dalë në rrugë ditën e 1 majit kishin qenë mbi 150 mijë në mbarë vendin, 16 mijë prej të cilëve vetëm në kryeqytet, ku u arrestuan mbi 200 persona. Bëhet fjalë për një protestë më të madhe se ajo e 1 majit të vitit të kaluar e që i bie të jetë ndër më të mëdhatë në histori.