fbpx

Seanca të reja për “Lëndina”, “Titanik”, “Dhuna në Qendër” dhe “Spiuni”

Në Gjykatën penale në Shkup për sot janë caktuar seanca për lëndët e Prokurorisë Speciale Publike “Lëndina”, “Titanik”, “Dhuna në Komunën Qendër” dhe “Spiuni”.

Në rastin “Lëndina” të akuzuar janë Dragan Pavlloviq – Latas dhe vëllezërit e tij Sërxhan dhe Zvezdan për ndërtim pa leje të tri vilave në Zelenikovë.

Sipas PSP-së, të akuzuarit ndërtuan tre vila në komunën e Zelenikovës pa pasur të drejtë për ndërtim të këtillë, përkatësisht ndërtim pa leje për ndërtim. Llatas ndërtoi vilë prej 317 metrave katrorë, ndërsa vëllezërit e tij vila prej 130, përkatësisht 104 metrave katrorë.

Në dëshmitë e siguruara të PSP-së, mes të cilave edhe xhirime satelitore, ekspertizë, si dhe dokumentacion tjetër, këto tre vila kishin filluar të ndërtohen në vitin 2011, ndërsa leja për ndërtimin e tyre nga Komuna ishte marrë në vitin 2013 kur tashmë ishin përfunduar.

Seancë e re sot do të mbahet edhe për rastin “Titanik”, për parregullsitë zgjedhore. Deri më tani, para gjykatës u prezantuan 1.800 nga rreth 5.900 dëshmi materiale, të propozuara nga PSP. U prezantuan dokumente personale, si kërkesa për dhënie të letërnjoftimeve, deklarata për persona të autorizuar, ekstrakte nga llogaritë, vërtetime dhe dokumente të tjera.

Gjykata pas ikjes së ish-kryeministrit të akuzuar Nikolla Gruevski në Hungari vendosi ta gjykojë në mungesë. Përveç Gruevskit, në “Titanik” të akuzuar janë edhe Kiril Bozhinovski, Mile Janakieski, Gordana Jankullovska, Biljana Brishkovska Boshkovski, Ilija Dimovski, Munir Pepiq, Edmond Temellko, Leko Ristoski, Kiril Todorovski, Katerina Vellkovska, Stanko Korunovski, Kosta Markovski, Dragçe Dragçeski, Marjan Nakevski, Goce Janevski, Xhezmi Ahmet, RObert Davitkov, Dalibor Aleshkoviq dhe Lenka Rashjakovska.

Ata janë të dyshuar për bashkim kriminel, shkelje të së drejtës zgjedhore, shkelje të lirisë së përcaktimit të votuesve, mito gjatë zgjedhjeve dhe votimit, shkatërrim i materialit zgjedhor dhe keqpërdorim i mjeteve për financim të fushatës zgjedhore.

Seancë gjyqësore sot duhet të mbahet edhe për lëndën “Dhuna në Komunën Qendër” në të cilën të akuzuar janë 14 persona, mes të cilëve edhe ish-kryeministri Nikolla Gruevski, i cili është në arrati në Hungari, ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski dhe deputetja e VMRO-DPMNE-së, Daniella Rangellova.

Në seancat e kaluara, fajin për ngjarjet para Komunës Qendër në qershor të vitit 2013 e pranuan i akuzuari i katërt, Tomisllav Llazarov dhe i akuzuari i pestë, Jordan Ristevski.

Në gjykatë për sot është caktuar seancë edhe për lëndën “Spiuni”. Në procedurën e shkallës së parë për këtë rast u dënuan të gjithë 19 të akuzuarit. Dënimin më të lartë me burg e mori i akuzuari i parë, Marjan Efremov, ndërsa mes të dënuarve për bashkëpunim me shërbime të huaja sekrete janë edhe ish-gjenerali i njësisë “Luanët”, Goran Stojkov, ish-drejtori i Drejtorisë për parandalim të larjes së parave, Vane Cvetanov dhe ish-funksionari i lartë në DSK, Aleksandar Dinevski./MIA