fbpx

Shqipëri, gaz lotsjellës kundër protestuesve

Mijëra qytetarë protestuan para kryeministrisë duke kërkuar largimin e kryeministrit shqiptar Edi Rama. Protestuesit e thirrur nga opozita e Shqipërisë janë përplasur me Policinë e Shtetit në Tiranë, pasi ata tentuan të hynë brenda rrethimit të Kuvendit. Policia ka përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit. Turma e atyre që po tentonin te futeshin në ambientet e Parlamentit është shpërndarë, por megjithatë janë kundërpërgjigjur duke qëlluar me sende të forta në drejtim të policisë.

Opozita ka thënë se këto protesta organizohen nga qytetarët, pakënaqësia e të cilëve është akumuluar për një kohë të gjatë. Kreu i opozitës Lulzim Basha pasi shpalli të mbyllur protestën, nga selia e PD-së  tha se do ta vazhdojnë këtë betejë në çdo rrugë, në çdo fshat derisa ta çlirojmë vendin nga kriminelët.

Pengesa e vetme është kjo qeveri kriminale dhe krye hajduti ,kaa 5 jave që nuk gjen vrimë miu ku të fshihet sa herë që shqiptarët bashkohen. Le ta bëjmë bashkimin tonë dhe protestën tonë të përditshme dhe të përnatshme zjarr të digjet toka kriminelëve në këmbë. Në Evropë shkohet vetëm me zgjedhje të lira, shkohet duke i dhënë fund pandëshkueshmërisë kriminelëve dhe politikanëve të lidhur me ta”  -u shpreh, Lulzim Basha-Kryetar I PD-së

Derisa në Tiranë partitë opozitare kërkuan qeveri tranzitore pa Ramën kryeministër ky i fundit sot ka zgjedhur të  qëndrojë në Berat  ku është takuar me operatorët turistikë në kuadër të turit “Bashkia që Duam”, nga atje Rama tha se Qeveria nuk preket, ai protestën e opozitës e ka vlerësuar si rrëmujë politike.

Është një mandat i dhënë nga populli dhe vetëm populli gjykon nëse ky mandat duhet të ndryshojë. Por preket ekonomia e kujtdo. Ata që shkojnë në protestat e organizuara dhe të orkestralizuara për t’u materializuar në dhunë, një pjesë janë rrogëtarë të administrata lokale, tejet të politizuara që bëjnë detyrën ndaj partisë’’ – theksoi Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë

Protesta e sotme është e pesta me radhë nga ana e opozitës që filluan me protestën e 16 Shkurtit po para kryeministrisë dhe vijuan me djegien e mandateve nga ana e deputetëve.

Alsat