fbpx

Shtetet e BE-së nuk e fusin Arabinë Saudite në listë të zezë për shpërlarje parash

Të 28 vendet anëtare të Bashkimit Evropian kanë përkrahur një vendim për të kundërshtuar një propozim të ekzekutivit të BE-së, për të shtuar Arabinë Saudite në listën e zezë të shteteve, që dyshohet se kanë toleruar financimin e terrorizmit dhe shpëlarjen e parave.

Ky vendim ka ardhur pas presionit nga Riadi që të mos shtohet në këtë listë.

Shtetet e bllokut evropian kanë thënë përmes një deklarate se vendimi unanim është marrë sepse Komisioni Evropian nuk ka qenë transparent në këtë proces, i cili për pasojë nuk ka inkurajuar shtetet që të marrin hapa në këtë drejtim.

Ky vendim tani detyron Komisionin Evropian që të përgatisë një listë të re.

“Jam e zhgënjyer mirëpo shpresoj se nuk dukem si dikush që është duke hequr dorë”, ka thënë komisionerja evropiane që ka hartuar këtë listë, Vera Jourova.

Ajo ka thënë se procesi ka qenë transparent dhe është bazuar në përkushtimin e shteteve të BE-së për të vepruar kundër “shpëlarjes së parave dhe financimit të terrorizmit”.

Komisioni ka publikuar muajin e kaluar një listë të zezë me 23 vende që kanë toleruar shkelje të tilla, duke përfshirë katër territore amerikane, vlerësim i cili nga Uashingtoni është cilësuar “i mangët”.

Në mesin e vendeve tjera në këtë listë janë edhe Nigeria, Panamaja, Libia, Irani, Pakistani, Koreja Veriore dhe Afganistani.