fbpx

Shtyhet data e mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale në Afganistan

Udhëheqësja e Komisionit të Pavarur Zgjedhor në Afganistan, Hawa Alam Nuristani, ka thënë se zgjedhjet presidenciale të këtij shteti do të shtyhen për dy muaj, në mënyrë që autoritetet të organizojnë këtë proces si duhet dhe të eliminojnë problemet, që kanë ndodhur gjatë zgjedhjeve parlamentare të mbajtura në muajin tetor.

Nuristani u ka thënë gazetarëve në Kabul më 20 mars se zgjedhjet presidenciale planifikohet të mbahen më 28 shtator, bashkë me zgjedhjet në disa distrikte si dhe me zgjedhjet parlamentare në Provincën Gazni.

Nuristani ka thënë se Komisioni do të jetë në gjendje të organizojë zgjedhjet vetëm nëse sigurohen fondet nga palët e përfshira, duke përmendur Qeverinë e Kabulit dhe komunitetin ndërkombëtar.

Zgjedhjet presidenciale fillimisht ishte planifikuar të mbaheshin në muajin prill, derisa më vonë janë shtyrë për 20 qershor.

Zgjedhjet parlamentare, të mbajtura në muajin tetor, janë cilësuar nga Nuristani si “më të këqijat në 15 vjetët e fundit”./REL/