fbpx

Sllupçan, përkujtohet nisja e konfliktit të 2001-it

Sllupçani shënoi dy majin, ditën kur në vitin 2001 filloi konflikti i armatosur mes UÇK-së dhe forcave të armatosura të shtetit. Me këtë rast, banorët e Sllupçanit dhe Komunës së Likovës, vlerësojnë se pas 18 viteve ndjehen më të sigurt, por më keq se para vitit 2001. Kjo për shkak se rinia po e braktis vendin me të madhe.

Banorët vlerësojnë se edhe pas 18 viteve, qytetarët shqiptar nuk e kanë arritur trajtimin e duhur nga ana e shtetit edhe pse ka avancime. Nevojën për mbështetjen sot e kësaj dite të banorëve të Sllupçanit dhe Komunës së Likovës e theksoi edhe vetë kryetari i komunës, Erkan Arifi, i cili tha se nevojitet investim në punësimin e rinisë dhe përmirësimin e kushteve të jetës. Ai njoftoi se Komuna ka sjellë vendim për vendosjen e lapidarit të dëshmorëve. Me rastin e shënimit të 18 vjetorit të fillimit të Konfliktit në rajonin e Karadakut, autoritetet kishin organizuar një manifestim me program artistik, në të cilin morën pjesë edhe përfaqësues të familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës, ato të Shoqatave të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe të Kosovës. Pas përfundimit të manifestimit u bënë edhe homazhe tek varrezat e dëshmorëve.

Mefail Ismaili