fbpx

Sonte në Torino: Përmbysje ose lamtumirë për Juven

Liga e Kampionëve këtë sezon, ka treguar se asgjë nuk është e pamundur dhe nëse pak ditë më parë dukej një mision i pamundur përmbysja e Juventusit ndaj Atletiko Madrid, tashmë nuk është. Një javë më parë, në harkun kohor të dy ditëve kemi parë dy përmbysje të mëdha, ku Ajaksi mori një kualifikim historik ndaj Real Madridit, ndërkohë që Mançester Junajtidi hodhi në tapet PSZh-në. Radhën për të zbritur në fushë, e kanë dy pretendentë të tjerë të Ligës së Kampionëve. Juventusi do të presë në ‘Allianz Stadium’ spanjollët e Atletik Madrid dhe kryefjalë e takimit të sotëm, është përmbysja. Juventusi synon të hedhë poshtë dy golat e pësuar në Madrid dhe të sigurojë një biletë për në turin tjetër të Ligës së Kampionëve, duke e siguruar me një përmbysje spektakolare, pasi 2-0 nuk janë shumë, por nuk janë as pak. Sakaq, Mançester Siti duket me një këmbë në turin tjetër. Pas fitores së arritur të Gjermani me rezultatin 2-3, sonte rikthehet në Mançester për aktin e dytë ndaj Shalkes. Gjermanët nuk janë në ditët më të mira dhe një kalim i mundshëm në turin tjetër, padyshim do të ishte suksesi më i madh i këtij sezoni, por duket e vështirë duke parë formën që ‘qytetarët’ po kalojnë.