fbpx

Strugë, vazhdon djegia e kallamave prej dy javësh

Nga shërbimi i zjarrfikësve në Strugë dyshojnë se zjarri përgjatë kallamit në bregun e liqenit në Strugë është ndezur qëllimisht. Kërkojnë nga autoritetet të shtojnë kontrollet dhe t’i gjejnë autorët pasi siç thonë, me këtë vihet në rrezik jeta e qytetarëve dhe të mirat e tyre materiale. Struganët dyshojnë se e gjithë kjo ndoshta po bëhet me lejen e dikujt. Aktivistë qytetarë ftojnë në protesta dhe kërkojnë takim urgjent me kryeministrin Zaev.

Nga qytetarët kemi kërkesa për organizimin e një proteste pas djegies së kallamit. Patjetër t’ju them se revolta dhe pakënaqësia në mesin e struganëve është shumë e madhe. Edhe djegia e tanishme edhe ajo e mëhershme e kallamit, tregon se djegia bëhet vetëm për urbanizimin e hapësirës dhe ndërtimin e objekteve- thotë Gligorie Qatoski, lëvizja qytetare “Mjaft më”.

Përkundër faktit se ministri Goran Sugarevski paralajmëroi se plazhet e Liqenit të Ohrit do kalojnë nën kompetencat e Qeverisë, kjo nuk i pengon makinerisë dhe disa individëve në vazhdimësi të shkatërrojnë bregun me qëllim të ndryshimit, gjegjësisht ta shndërrojë atë në tokë ndërtimore- thanë nga SOS Ohër.

Partitë opozitare ndërkohë i ftojnë autoritetet të ndërmarrin masa urgjente.

Ta hetojnë rastin e djegies së kallamit përreth bregut të Strugës dhe të shohin nëse edhe atje po përgatitet terreni për ndërtime të reja përreth Liqenit- tha Mirçe Axhieski, VMRO-Strugë.

Po ndodhë ajo të cilën ne kemi paralajmëruar që moti. Njerëz të afërt me kryetarin filluan ta uzurpojnë hapësirën publike. Pa kurrfarë të drejte, pa leje, por me dijen e Ramiz Merkos, në pikë të ditës e djegin kallamin, shtrojnë tampon, beton dhe bëjnë gati plazhe të reja- thanë nga Aleanca për shqiptarët

Nga Ministria e ambientit jetësor për Alsat thonë se nevojitet kontroll në teren nga inspektorati shtetëror i ambientit jetësor, por përkundër përpjekjeve nuk morëm përgjigje nga Inspektorati Ohër. Kryetari i Strugës Merko para një kohe deklaroi se punimet zhvillohen në pronë private. Sipas tij, po rregullohet hapësirë që është lënë pas dore, ndërsa për kallamin thotë se është djegur gjithandej që të mund të punohen arat.

Miki Trajkoski