fbpx

Talibanët marrin peng dhjetëra forca afgane të sigurisë

Ministria e Mbrojtjes e Afganistanit tha se militantët talibanë kanë marrë peng 58 ushtarë afganë, pas disa ditësh luftime.

Trupat u sulmuan nga militantët në qarkun Bala Marghab të provincës Bagdis, e cila kufizohet me Turkmenistanin, gati dy javë më parë.

Ministria e lëshoi deklaratën pas raporteve për luftime intensive në Bala Marghab.

“Për fat të keq, 58 ushtarë janë kapur nga armiqtë tanë”, thuhet në deklaratën e postuar në Twitter.

Më 17 mars, talibanët thanë se kanë marrë peng 72 forca të sigurisë.

Ky zhvillim vjen disa ditë pasi rrethi i fundit i bisedimeve midis Shteteve të Bashkuara dhe talibanëve përfundoi në Doha të Katarit.

Amerikanët po përpiqen të gjejnë një zgjidhje për t’i dhënë fund luftës gati 18-vjeçare në Afganistan.

Qeveria në Kabul, deri më tash, është lënë jashtë negociatave.