fbpx

Tatimi progresiv, më pak fonde nga se ç’pritej

Pas aplikimit të tatimit progresiv nga fillimi i vitit, të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat në buxhet shënuan rritje prej 13.8%. Në janar, në bazë të kësaj, janë mbledhur gjithsej 19 milionë euro, tregojnë të dhënat e Ministrisë së Financave. Por, sipas analizës së Finance Think, proporcionalisht janë mbledhur më pak fonde se sa pritej. Analiza tregon se në janar të këtij viti, të ardhurat e përgjithshme nga tatimi personal janë 6.2 për qind të totalit të parashikuar, që është më pak, nga 8.3 për qind të parashikuara, në pajtim me aplikimin e tatimit progresiv. Ekspertët tatimorë këto shifra i shpjegojnë me faktin se shumica e tatimpaguesve pagesat për muajt e parë të këtij viti i kanë mbyllur vitin e kaluar me qëllim që të mos paguajnë tatim më të lartë menjëherë në fillim të vitit. Ata janë optimist se do të realizohen parashikimet e Qeverisë nga aplikimi i tatimit progresiv.

Ndoshta edhe muaji shkurt nuk do të jetë sipas pritjeve, në shkurt veç do të fillojë të ndjehet lëvizje e caktuar ndërsa prej marsit mendoj se të ardhurat e planifikuara në aspekt të tatimit personal progresiv do t’i japin rezultatet e pritura”. – theksoi Pavle Gacov- ekspert tatimor

Me zbatimin e tatimit progresiv, Qeveria pret të grumbullohen mbi 30 milionë euro shtesë në nivel vjetor. Sipas ekspertëve, nëse ekonomia shënon rritje, kjo shumë mund të jetë edhe më e madhe, para se gjithash në pjesën e rritjes së të ardhurave të fitimeve kapitale tek qytetarët. Nga fillimi i vitit u miratua tatomi progresiv prej 18% për të ardhura mbi 1500 euro në muaj, në vend të tatimit të sheshtë si dhe tatim prej 15% për fitime kapitale. Rritja e tatimeve shkaktoi reagime negative në opinion dhe tek komuniteti i biznesit.

Aleksandra Spasevska