fbpx

Vazhdon gjykimi për lëndën “Thesari”, dëshmon Gjoko Popovski

Urdhrat për blerjen e pajisjes për nevojat e policisë sekrete janë përcjellë gojarisht dhe janë zbatuar fshehtë dhe pa tender. Urdhrat i kanë dhënë ish shefi i DSK-së, Sasho Mijallkov, shefi i tij i kabinetit Toni Jakimovski dhe ish kryeshefi i atëhershëm i Drejtorisë së pestë, Goran Grujovski. Urdhrat gojarisht drejtpërdrejt apo përmes ndërmjetësit kanë arritur tek i gjykuari Gjoko Popovski, i cili atëkohë ishte ndihmës- ministër për furnizime publike. Kështu ai shpjegon procesin e blerjes së pajisjes për DSK-në në cilësinë e dëshmitarit në rastin “Thesari” dhe blerjen e softuerit për përgjim përmes kompanisë “Finzi” nga Britania e Madhe.

Nuk më kujtohen detajet. Kujtoj se u ble pajisje për DSK-në përmes kompanisë “Finzi”. Për këtë kompani nuk kisha dëgjuar asnjëherë më parë. Kur e filluam procedurën, erdhi një përfaqësues i kompanisë tek unë dhe tha: A mund ta firmosim marrëveshjen tek unë në zyrë. Kur e lexova marrëveshjen, pashë se përfaqësues i kompanisë “Finzi” është Vllatko Stajkoviq – tha Gjoko Popovski, dëshmitar i PSP-së.

Popovski mes të tjerash tha se të gjitha furnizimet për DSK-në janë bërë sipas Nenit 7 të Ligjit për Furnizime Publike, përkatësisht nuk e kanë pasur për obligim të shpallin tender pasi blerja për policinë sekrete është diskrecion i lartë. Popovski i cili tashmë është i gjykuar në rastin “Tanku” me 4 vite e gjysmë, u soll nga burgu i Idrizovës. Në rastin “Thesari”, akuzohen Sasho Mijallkov i cili u soll nga paraburgimi në Shutkë, Toni Jakimovski i cili u soll nga paraburgimi nga burgu i Kumanovës, Nebojsha Stojakoviq dhe Goran Grujovski, i arratisur në Greqi. Të akuzuarit keqpërdorimin e kanë kryer në vitin 2010 kur përmes kompanisë “Finzi” kanë marrë pajisje përgjimi nga Britania e Madhe, në vend që këtë drejtpërdrejtë ta bëjë Ministria e Brendshme. Importin e pajisjes, kompania e ka faturuar me çmim disa herë më të lartë, përkatësisht buxheti është dëmtuar për 820 mijë euro. Kompania “Finzi” ishte në pronësi të Kosta Kërpaçit i cili në vitin 2016 u gjet i vdekur në banesën e tij. Specialja atëherë deklaroi se Kërpaç ka dashur të jetë dëshmitar mbrojtës, por se ka treguar se është nën presione dhe kërcënime. Nga ana tjetër, Prokuroria e rregullt rastin e mbylli si vetëvrasje.

Bojan Stojanovski