fbpx

Vazhdon gjykimi për rastin “Titanik”

Seancë e re sot do të mbahet edhe për rastin “Titanik”, për parregullsitë zgjedhore. Deri më tani, para gjykatës u prezantuan 1.800 nga rreth 5.900 dëshmi materiale, të propozuara nga PSP. U prezantuan dokumente personale, si kërkesa për dhënie të letërnjoftimeve, deklarata për persona të autorizuar, ekstrakte nga llogaritë, vërtetime dhe dokumente të tjera.

Gjykata pas ikjes së ish-kryeministrit të akuzuar Nikolla Gruevski në Hungari vendosi ta gjykojë në mungesë. Përveç Gruevskit, në “Titanik” të akuzuar janë edhe Kiril Bozhinovski, Mile Janakieski, Gordana Jankullovska, Biljana Brishkovska Boshkovski, Ilija Dimovski, Munir Pepiq, Edmond Temellko, Leko Ristoski, Kiril Todorovski, Katerina Vellkovska, Stanko Korunovski, Kosta Markovski, Dragçe Dragçeski, Marjan Nakevski, Goce Janevski, Xhezmi Ahmet, Robert Davitkov, Dalibor Aleshkoviq dhe Lenka Rashjakovska.

Ata janë të dyshuar për bashkim kriminel, shkelje të së drejtës zgjedhore, shkelje të lirisë së përcaktimit të votuesve, mito gjatë zgjedhjeve dhe votimit, shkatërrim i materialit zgjedhor dhe keqpërdorim i mjeteve për financim të fushatës zgjedhore.