fbpx

Veseli, kriminelëve serbë: Do të përgjigjeni për atë që iu bëtë shqiptarëve në Kosovë, do ju zëmë të gjithëve

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka shpalosur sot planin rreth iniciativës së tij për krijimin e një Tribunali Ndërkombëtar për krimet e kryera nga Serbia në Kosovë.

Veseli ka thënë se pjesë e kësaj iniciative do të jetë e përfshirë edhe opozita, njofton Klan Kosova.

“Do të jenë të përfshirë pozita dhe opozita, do të jetë e gjithë Kosova. Jam i bindur që opozita jo vetëm që do të jetë përkrahëse por do të jetë edhe pjesë e saj. Ndoshta ka vonesë, por ne do të veprojmë. Nuk do të bimë peng i pjesës që ka pengesë. Do të inkurajojë prokurorin dhe gjykatësit tanë që ta bëjnë këtë punë”.

”Gjykata do të ndodhë, kriminelët të cilët e kanë kryer gjenocidin, në Serbi do të ndjeken përjetësisht. Ideja e kësaj iniciative është për t’i ikur çdo paragjykimi. Do të faktojmë, do të dokumentojmë për të nxjerrë para drejtësisë kriminelët që kanë kryer krimet në Kosovë për t’i bërë edhe që të përgjigjen”.

Madje Veseli pati edhe një mesazh për të gjithë ata që kanë kryer gjenocid mbi popullatën civile kosovare gjatë luftës.

“Nuk do të jeni të lirë, do t’ju zëmë të gjithëve, do të përgjigjeni për atë që iu keni bërë njerëzve tanë në Kosovë, që nga fëmijët e deri tek pleqtë sepse ata kanë qenë të pafajshëm, e ju nuk ishit të zot për tu ballafaquar me ne, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”.